Në Kursin e Lartë të Sigurisë edhe Mbrojtjes (KLSM), i cili u zhvillua për 10 javë në Akademinë e Forcave të Armatosura u diplomuan për këtë vit 13 kursantë.
Pjesë e tij ishin ushtarakë të lartë dhe civilë nga një sërë vendesh partnere si Anglia, Turqia, Kroacia, Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia.
Në ceremoninë e diplomimit të tyre mori pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila pasi uroi të gjithë studentët, tha se ky kurs në vitin e 11-të tij ka një rëndësi që shkon përtej thjesht përgatitjes së një numri studentësh nga fusha e mbrojtjes.
“Ky kurs ka për ne një rëndësi që shkon përtej sepse ai është qershia mbi tortë i gjithë përpjekjes sonë për të ngritur një sistem arsimimi ushtarak vërtet modern dhe cilësor siç i takon një ushtrie moderne të një vendi anëtar të NATO-s.
Jemi duke punuar shumë për të ngritur strukturat e logjistikën, kemi bërë shumë për të shtuar financimet dhe kemi ende shumë për të bërë për atë që është elementi ndoshta më i vështirë, por edhe më thelbësor pa diskutim, ngritja e kapaciteteve akademike e njerëzore që nevojiten për një sipërmarrje kaq të vështirë”,tha ministrja Xhaçka.
Kursi i Lartë i Sigurisë edhe Mbrojtjes ka si qëllim arsimimin e liderëve civilë dhe ushtarakë nga Shqipëria, vendet e rajonit, vendet anëtare të NATO-s dhe ato partnere për të kuptuar situatat komplekse në ambientin strategjik të sigurisë, dhe të rrisë aftësitë e të menduarit në mënyrë strategjike.
Gjatë ceremonisë së përfundimit të këtij kursi morën pjesë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Bajram Begaj, ambasadorja franceze në Tiranë Christina Vasac, komandantë forcash, etj.