Ministrja e Arsimit Besa Shahini, reagon pasi në hartën e librit të qytetarisë së klasës së tetë, mungon Kosova, duke u paraqitur si pjesë e Serbisë.
Ajo thotë se i erdhi keq kur pa të postuar në rrjete sociale një faqe të një libri me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit.
Ministrja deklaron se Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 23 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate.
“Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të!
Ky është natyrisht një gabim i paqëllimshëm dhe s’është i vetmi, megjithëse janë bërë përmirësime kolosale në korrigjimin e teksteve shkollore.
Por padiskutim që nuk do të duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla në librat shkollorë”, shkruan Shahini.
Ajo shton se lajmi i mirë është se kjo ka ndodhur ndërkohë që po zhvillohet procesi i kontrollit të librave shkollorë, pasi sivjet është mbyllur procesi i hartimit të librave të rinj.
Ministrja bën me dije se më tej do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t’i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara, ndërsa në vijim me redaktim të plotë.
/a.r