“Ishulli” u kodua një operacion i policisë së Lezhës, i cili ka goditur një rast të shpërndarjes së drogave të forta, duke vënë në pranga tre persona.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një person i cili lëvizte nga Tirana në drejtim të Lezhës posedonte lëndë narkotike, me qëllim shpërndarjen në Ishull Lezhë dhe në qytetin e Lezhës, u bë organizimi i operacionit.
Kështu u vunë në pranga D. A., 39 vjeç, banues në Maminas, Durrës; E. H., 21 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë dhe K. Q., 26 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.
Efektivët e policisë kanë bërë të mundur lokalizimin e personit të dyshuar dhe kanë ndërhyrë menjëherë duke bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. A., në lulishten e një picerie në Ishull Lezhë.
Gjatë kontrollit, policia i gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 160 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, të cilën do ta shpërndante në doza të vogla.
Si rezultat i veprimeve të shpejta u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi edhe i dy bashkëpunëtorëve të tij, të cilët e prisnin në lulishten e picerisë, me një automjet që drejtohej nga shtetasi K. Q., dhe pasagjer E. H., të cilët së bashku do ta shpërndanin lëndën narkotike në doza.
Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, me synim zbardhjen e plotë të aktivitetit të tyre.
/a.r