Dalin detaje të reja lidhur me grabitjen e ndodhur mbrëmjen e së martës në një banesë në Fushë Milot. Kanë qenë tre persona të maskuar, ata që janë paraqitur në banesën e Taf Shabanit kur janë përballur me gruan e këtij të fundit dhe i kanë thënë se ishin policë.
Duke folur për mediat, Hume Shabani deklaroi se në kasafortë ishin lekët e fëmijëve që punonin prej vitesh si emigrantë.
“Ishin të maskuar. Njëri prej tyre, ishte i vogël, e hoqi maskën dhe tha ‘mos u tremb’. Por jam operuar dhe nuk shoh mirë. Ai e vuri prapë maskën. Njëri ruante që nga rruga. Kishin marrë gur freksibël. U thashë “a jeni diversant? Si e prekni gjënë e huaj”, u shpreh Hume Shabani.
Ajo tregoi se i shoqi ishte duke pirë kafe dhe se hajdutët i morën telefonin, dhe nuk e lanë që të kërkonte ndihmë.
“Më thoshin ku e ke djalin? Ka dalë djali nga burgu? A ke armë? Ka lënë djali armë? Më pas e kuptova. Ata ikën dhe morën të gjitha. Më pas dola poshtë dhe njoftova plakun. Plaku desh vdiq. Policia erdhi më pas. Djali Xhevahir Shabani është në burg më Itali, ka një vit e gjysmë”, tregoi e moshuara.
Familja pretendon se në kasafortën që kishin në mur, ndodheshin rreth 300 milionë lekë.
/a.r