Kur erdhi në 2016 si ambasador i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt nuk vinte si diplomat i paprovuar me politikën shqiptare. Nga 2007 deri në 2010, ai kishte mbajtur postin e ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri, ndërsa për një periudhë të shkurtër kohore pati drejtuar edhe misionin EULEX në Kosovë.
Por, kur mbërrinte në Shqipëri në gusht të 2016, gjeti një situatë të relativisht të qetë, që prodhoi miratimi i ndryshimeve kushtetuese, të cilat i hapën rrugë reformës në drejtësi.
Për vetë natyrën e misionit të OSBE-së, që prioritet ka zgjedhjet dhe lirinë e medias, përfshirja e tij në tematikën e reformës në drejtësi ishte si pjesë e korit të ndërkombëtarëve që bënin thirrje për avancimin e kësaj reforme, por jo në rol protagonisti.
Në tetor 2018, kur PD dhe aleatët e saj vijonin bojkotin e Parlamentit, Borchardt fliste me tone të përforcuara kundër këtij hapi të opozitës.
“Demokracia zhvillohet dhe duhet të zhvillohet vetëm në Parlament”, deklaronte ai.
Por, pak muaj më vonë, në shkurt të 2019, braktisja e Parlamentit dhe djegia e mandateve nga ana e opozitës ishte momenti kur përplasja mes Borchardt dhe opozitës hyri në një rrugë pa kthim.
PD dhe LSI dolën në rrugë dhe shesh në protesta ku nuk mungoi dhuna.
Gjuha e përzgjedhur nga ambasadori i OSBE-së për dënimin e akteve të dhunës nuk tejkalonte termat diplomatike të përfaqësive të tjera ndërkombëtare në Tiranë.
Por, në muajin maj përmes një opinioni në kuadër të një aktiviteti kushtuar rinisë, Bernd Borchardt sillte dallimin mes protestës së studentëve të fundit të 2018 dhe fillimit të 2019 me protestat me molotov të opozitës.
“Ka një ndryshim të qartë mes një fushate të vazhdueshme protestash paqësore, aktive, të sinqerta e vërtet popullore dhe një numri relativisht të vogël njerëzish, që sulmojnë policinë me kokteje molotovi dhe dëmtojnë pronën publike dhe private”, shkruante ai.
Më 10 qershor, ditën që presidenti Ilir Meta firmoste anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, Bernd Borchardt lëshonte një deklaratë ku këtë çështje e konsideronte çështje të brendshme, që duhet ta zgjidhnin institucionet shqiptare.
“Kryetari i radhës i OSBE-së bëri një deklaratë shumë të qartë për këtë javën e shkuar.
Ai tha se vendosja e datës së zgjedhjeve është çështje e brendshme e Shqipërisë. Tani, është çështje e debatit të brendshëm.
Kam besimin se institucionet shqiptare do të gjejnë një vendim të mençur se cila palë ka argumentin më të mirë ligjor”, do të deklaronte ambasadori i OSBE-së.
Në arsyetimin e vendimit të shpalljes “non grata” në Presidencë, kjo deklaratë e ambasadorit të OSBE-së interpretohet si vënie në dyshim e dekretit dhe vendimeve të presidentit.
Më 25 shtator ndodh përplasja e radhës. OSBE organizon një tryezë për reformën zgjedhore. Partia Demokratike merr pjesë në nivel teknik me Ivi Kason, i cili pasi parashtron propozimin që reforma të kryhet nga një strukturë jashtëparlamentare dhe nga ndërkombëtarët largohet nga salla.
Borchardt qortoi braktisjen e mbledhjes.
Momenti që duket se do të vuloste raportet e Bernd Borchardt me opozitën dhe tashmë edhe me Metën, duket se ka qenë ai gishti i mesit i treguar ndaj një grupi protestuesish të Astirit. Për protestuesit e Astirit, PD dhe Meta nuk të falin.
Ambasadori kërkoi ndjesë për gjestin, duke e argumentuar se ishte ndjerë i fyer pasi e kishin quajtur komunist.
Një ditë më vonë ai kërkoi ndjesë, ndërkohë që për herë të parë dha variantin e tij në një intervistë dhënë së fundmi.
Ambasadori thotë në këtë intervistë se incidenti është përdorur politikisht dhe se persona që iu vunë përballë në atë mbrëmje nuk ishin gra e fëmijë, por burra.
“Kisha dalë për shëtitje me bashkëshorten time atë mbrëmje, pa qenë në dijeni se po zhvillohej një protestë përpara Drejtorisë së Policisë, aq më pak të dija se për çfarë po bëhej protesta.
Papritmas, na u afruan disa burra, njerëzit bërtisnin duke na sharë dhe silleshin në mënyrë agresive. Më duhet ta theksoj, ishin burra, jo gra apo fëmijë, siç po pretendojnë disa media tani.
Kjo na gjeti tërësisht të papërgatitur mua dhe bashkëshorten time dhe ajo, me të drejtë, u frikësua.
Nëse e shihni fytyrën e saj të tmerruar, në videon e shpërndarë gjerësisht, atëherë e kuptoni se çfarë ndodhi. Nuk e kuptuam se çfarë po ndodhte, u ndiem të kërcënuar drejtpërsëdrejti dhe u çorientuam.
U pendova dhe kërkova ndjesë menjëherë, duke kuptuar që mund të kem fyer njerëz të tjerë, ata të cilët po protestonin përballë zyrave të Policisë dhe për ankesat e të cilëve nuk kisha dijeni.
Ende më vjen keq dhe ende i qëndroj ndjesës publike që kam bërë. E shikoj tani se si disa media e vendosin këtë incident në rrotullën politike. Ky keqinterpretim bëhet me keqbesim dhe është i motivuar politikisht”, thotë ai.
Në Vjenë, sipas artikujve që qarkulluan në media dhe të pamohuara nga OSBE, u nis një hetim disiplinor për këtë gjest të Borchardt, në fund të të cilit u vendos që të mos merrej asnjë masë për të.
Ambasadori është akuzuar edhe nga ish-kryeministri Berisha si tejet i njëanshëm me qëndrimet e tij.
Të gjitha këto e bëjnë Bernd Borchardt zyrtarin e dytë të OSBE-së që shpallet “non grata” nga presidenti.
Pas zgjedhjeve të majit të 1996, presidenti i asaj kohe, Sali Berisha sulmoi shefen e misionit vëzhgues të OSBE-së, Audrey Glover, për raportin që i cilësonte ato zgjedhje si të manipuluara.
Pse tani?
Presidenti Ilir Meta citon dy momente që e shtynë të ndërmerrte këtë vendim ekstrem, të paktën për politikën shqiptare, ndaj një diplomati në Tiranë.
I pari ishte vënia në diskutim e dekretit që anulontez zgjedhjet e 30 qershorit dhe i dyti gjesti me gishtin e mesit që u tregoi protestuesve të Astirit.
Asnjëri prej këtyre episodeve nuk është i freskët, e për më tepër, nëse do t’i qëndronte standardit të vendosur në argumentin e parë, Ilir Metës do t’i duhet që të shpallë “non grata” një dyzinë zyrtarësh e diplomatësh të huaj me peshë, mes të cilëve edhe vetë të dërguarin e Posaçëm të Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.
Megjithatë, le t’i kthehemi kronologjisë.
Episodi i parë që i kushtoi shpalljen “non grata” Borchardt ka ndodhur më shumë se pesë muaj më parë, ndërsa i dyti në mes të muajit tetor.
Sa i takon debatit aktual mbi emërimet në Gjykatën Kushtetuese, kreu i OSBE-së ka qëndruar larg.
Për këto arsye, pyetja që ngrihet është se përse u shpall “non grata” pikërisht tani, kur ambasadori i OSBE dhe zyra që ai drejton në Tiranë, janë angazhuar për kryerjen e reformës zgjedhore, një prej dy parakushteve të vendosura nga Gjermania për hapjen e negociatave?
A lidhet ky vendim i Metës me sinjalizimin e ambasadorit të OSBE, se do të mbështesë një reformë që plotëson rekomandimet dhe standardet ndërkombëtare, edhe pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim?
Përse fillimisht Lulzim Basha thirri një bashkëbisedim me gazetarët më 25 shtator, në të njëjtën ditë dhe orë që OSBE organizonte tryezën e parë për reformën zgjedhore dhe përse presidenti Ilir Meta në ditën që OSBE thirri tryezën e “dubloi” mediatikisht me lajmin e takimit me përfaqësuesit e opozitës?
Këto janë disa nga “Pse-të” e shpalljes “non grata” të Bernd Borchardt.
Por, ambasadori i OSBE-së nuk është i vetmi i zyrtar i lartë i vënë në shënjestër nga ana e presidentit.
Në intervistën e dhënë për “Open” në Top Channel, Meta e cilësoi ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca përgjegjës që vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë.
Përgjegjës e fajtorë të tjerë, në të njëjtin emision i gjeti duke u shtyrë pas në kohë, si ish-ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin.
Për të parin tha se i kishte kërkuar falje gjatë një takimi në me arsyetimin se ishte gënjyer nga përfaqësues të Partisë Socialiste.
Akuzat e presidentit nuk u kufizuan vetëm me diplomatët në Tiranë.
Ai u zotua se do t’i denoncojë, ato që i cilëson si manovra mafioze për të kapur drejtësinë deri në Bruksel dhe Uashington.(SI)