Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e quan një akt në mbrojtje të Kushtetutës, kallëzimin nga presidenti Meta ndaj kreut të KED-së, Ardian Dvorani.
Në reagimin e tij, Bardhi shkruan se hetimi ndaj Dvoranit do të jetë një pikë kyçe për rikthimin e besimit tek drejtësia. Bardhi, me një gjuhë të ngjashme me atë të kreut të shtetit, tha se Dvorani ka minuar ligjshmërinë dhe besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese dhe sipas tij, veprimet që do të bëjë prokuroria për këtë rast do të tregojnë qartazi nëse drejtësia është e kapur ose jo nga kryeministri Edi Rama.
“Kallëzimi penal i Presidentit të Republikës ndaj Kryetarit të KED është akti i duhur në mbrojtje të Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese. Me veprimet e tij në shërbim të partisë në pushtet, Ardian Dvorani ka minuar ligjshmërinë dhe besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese.
Partia Demokratike beson se një hetim i shpejtë, i plotë dhe i pavarur i shkeljeve të ligjit nga Ardian Dvorani, është një gur themeli për rikthimin e besimit tek drejtësia. Nga veprimet e prokurorisë do të varet, nëse shqiptarët mund të besojnë akoma se Reforma në Drejtësi nuk u bë që sistemi të kontrollohet nga Edi Rama, por për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar dhe për të trajtuar shqiptarët si të barabartë para ligjit”, shkruan Bardhi.
Presidenti Ilir Meta firmosi këtë të martë kallëzimin penal kundër kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”. Për të mos humbur kohë dhe që hetimet të nisin menjëherë, kreu i shteti e dorëzoi padinë në tre prokurori, të Përgjithshmen, të Krimeve të Rënda dhe organin e akuzës së Tiranës.
/a.r