Njerëzit në Sidnej të Australisë u zgjuan të martën të mbuluar nga tymi, si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë rajonin përreth.
Erërat e forta gjatë natës sollën tymin e zjarreve në Sidnej, duke e çuar cilësinë e ajrit, herë pas here, përtej niveleve të rrezikshme.
Në mediat sociale, vendasit përshkruan qiell të mjegullt dhe erë të keqe të tymit në shtëpitë e tyre.
Rreth pesë milionë njerëz jetojnë në Sidnej – kryeqytetin e rajonit Nju Sauth Uells, që është përfshirë nga zjarret tash e sa javë.
Gjashtë njerëz kanë vdekur nga zjarret qysh në tetor.
Ekipet e zjarrfikësve vazhdojnë të luftojnë me mbi 100 të tilla në Nju Sauth Uells dhe në Kuinsllend.
Banorët e Sidnejt u paralajmëruan për rrezik të madh nga zjarri të martën, pasi temperaturat u rritën në 37 gradë Celsius në perëndim të qytetit.
Zyrtarët shëndetësorë i këshilluan njerëzit të qëndrojnë brenda dhe të shmangin aktivitetin fizik. /e.s/