Nga Mero Baze
Është e qartë që Ilir Meta beson tek fuqia e videos në politikë. Regjistrimi i tij nga ish ministri i tij vazhdon të mbetet rekord në politikën shqiptare.
Me bllok në dorë, duke numuruar gjithë pazaret e tij private në emër të shtetit Ilir Meta tronditi shoqërinë, e cila reagoi me një protestë madhështore ku Sali Berishës ju desh të vriste 4 vetë e të plagoste 30 të tjerë, për ta shpërndarë.
Ilir Meta vetë u plagos rëndë politikisht dhe arriti të përdorë Berishën dhe presionin ndaj tij për koalicionin, për ta mbyllur çështjen me dhunë në Gjykatën e Lartë. I vetmi gjyqtar që i doli në pakicë ishte Ardian Dvorani.
Ndaj tij bëri disa makinacione.
Rregjistroi biseda sekserësh që flisnin me njëri tjetrin se si e kishin mbyllur dhe me Dvoranin pastaj këto ja çonin atij për presion. Meqë nuk u tërhoq, atëhere u bë target e sulmeve të koordinuara me Berishën, i cili kishte një tjetër makth me Dvoranin.
Vëllai i Dvoranit është një nga ushtarakët e vrarë në Gërdec në biznesin e djalit të Sali Berishës dhe paranoja e tij është se, nëse çështja e djalit rihapet ai ka “gjaksin” në Gjykatë.
I bindur se armiqtë shkatërrohen me video, Ilir Meta po bën përpjekjen e fundit që të çudisë njerëzit me një video për armikun e tij në drejtësi.
Nuk e di çfarë mund të ketë një video e Ilir Metës, por gjëja e parë që do bëjmë të gjithë është se do ta krahasojmë me videon e tij. Është një rast për ta riparë atë dhe për të kuptuar se çfarë drejtësie kemi pasur. Akoma më shumë është një rast për të kujtuar Dvoranin si gjyqtarin që e ka kundërshtuar atë vendim.
Kjo është e vetmja gjë që vlen nga paralajmërimi Ilir Metës dhe fiksimi i tij për videot. Vlen së paku që ajo video të rigjykohet bashkë me çështjet e tjera të mbyllura.