Nga Alfred Peza
Banorët e Divjakës ia thanë më sy kreut të opozitës se “kemi dëgjuar që ti fle vetëm gjumë”.
Por, Luli i ka surprizuar të gjithë duke i bërë që të ndihen shumë keq. Sepse ai nuk flinte ashtu kot për qejf, por këtë sakrificë e bënte që të shihte ëndrra sa më të bukura për ta.
Ndaj nuk ngurroi dhe ua tregoi:
Kur të jem unë Kryeministër do bëj “dixhitalizimin e bujqësisë” Ai është “jetësor”. Po si? Edhe këtë e kishte menduar: “me nje çip shmang burokratët dhe hajdutët duke ofruar subvencione direkte sepse çipi nuk kërkon kafe”,- tha Luli.
Por kur “nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” u fut për ta kontrolluar në sistem dhe kuptoi menjëherë se Luli as ëndrrat nuk i kishte origjinale, e jo më programet reale.
Doli se ëndrra që Luli u tregoi fermerëve të Divjakës ishte plagjiaturë. Sepse ishte kopjuar nga një ëndërr e kujt do thoni ju? Sigurisht, nga një ëndërr e Doktorit, e kujt tjetër!
“Nëpunësi” zbuloi se në janarin e vitit të 2012, Berisha kur ishte Kryeministër paska premtuar:
Do bëj “dixhitalizimin total të bujqësisë, (me synimin që) fermeri shqiptar të disponojë online gjithçka që i duhet për biznesin e tij”.
Pas kësaj, u kuptua sesa do realizohet edhe ky premtim i Lulit, i cili ende nuk ka dixhitalizuar njëherë partinë e tij, e jo më të dixhitalizojë Shqipërinë dhe bujqësinë e saj!