Këngëtarja Alida Hisku ka folur pas shumë kohësh duke treguar detaje rrënqethëse të hetuesisë në kohën e diktaturës komuniste. Duke folur për ‘Shqiptarja.com’ Hisku ka rrëfyr ngjarjet tragjike të viteve 70 që u pasuan pas Festivalit 11.
“Ajo ishte një vajzë e re me zërin kristalor dhe babai i saj ishte sekretar partie i Ndërmarrjes Poligrafike. Ai projektonte tek e bija modelin e rinisë socialiste” – shkruan gazeta në fjalë.
Për publikun shqiptar, Alida Hisku ka mbetur një monument i muzikës shqiptare, edhe pse ka mbi 30 vjet e ndarë nga skena.
Jeton në Gjermani, ku e njohin si gruan e jashtëzakonshme, autoren e një libri që nuk është më në treg, kurajozen, njeriun e dashur e shumë punëtor.
E dini që kohët e fundit është hapur një debat për lidhjet e artistëve me Sigurimin e Shtetit. Ju kujtohen situatat sesi infiltroheshin koleget e tua në Sigurimin e Shtetit?
-Unë nuk mund të flas sot konkretisht, sepse po ai sigurim që ka qenë atëherë, është edhe sot. Atëherë ishte një sigurim që shfrytëzohej prej pushtetit, sot shfrytëzohet prej lekut. Të njëjtat gjëra bëhen edhe sot. Por sot ndryshe nga e kaluara, shumë gjëra tani kanë dalë sheshit, por pjesa më e madhe e infiltrimit bëhej fshehtas, siç bëhen shumë gjëra fshehtas edhe sot…
Por duhet të them këtë gjë, që këngëtaret që kërkonin karrierë që e që nuk ishin të gjithanshme, ata që nuk ishin të sinqertë në krijimtarinë e tyre si artistë, u nënshtroheshin këtyre lloj rrugëve, duke u bërë vegla të Sigurimit të Shtetit ose të politikanëve. Por unë nuk kisha asnjë ndjesi të tillë, që të intrigohesha në këtë gjë.
Unë besoja tek vetja, punoja fort. Arritjet e mia rrodhën natyrshëm. Këto arritje mbase u vranë sytë atyre që ma bën këtë, që më kallëzuan se çfarë shkruaja në një ditar që e kisha shumë personal. Isha një vajzë e re që sipas kërkesave të kohës, isha këngëtare shumë popullore, isha punëtore, anëtare partie dhe të gjitha këto i kisha arritur në moshën 23 vjeçe. Mbase u vrau sytë gjithë kjo arritje, siç konsiderohej në atë kohë. Ishin tre vetë ata që ma bënë këtë. Kanë qenë nga Vlora, tre artistë që ishin në Shkollën e Partisë.
Mund të na i thuash këto emra?
-Jo!
Pse jo?!
-I kam falur…
Si mundesh t’i kesh falur. Të shkatërruan jetën në lulëzimin e saj, dhe t’i thua i kam falur?
-Ndoshta, nuk e kanë bërë me gjithë shpirt, kushedi si i kanë manipuluar…
Po në librin tënd autobiografik i ke shkruar se cilët janë?
-Jo, të thashë…, s’i kam shkruar emrat. I kam falur.
Po ty vet, të kërkoi ndonjëherë sigurimi i shtetit të bashkëpunoje?
-Jo, jo, nuk ma kanë kërkuar kurrë këtë. Ndoshta mund ta kenë ditur se çfarë natyre kam qenë. Mbase nuk duhej një njeri që shikonte vetëm punën e tij dhe programin e punëve që i ngarkonin. Por atje në shkollë të Partisë më morën ditarin ata që kishin lidhje me Sigurimin dhe më spiunuan. Mbase isha e madhe për ta, jashtë këndvështrimit të njerëzve normalë, mbase ata ishin lakmimtarë, sepse unë kisha hyrë në zemrën e popullit. Populli im ende nuk më ka harruar.
Unë befasohem, unë mrekullohen që më ka dashur. Kam 25 vjet që kam ikur dhe do të më ishte harruar edhe emri, dhe populli im që unë i këndoja me gjithë shpirt, thotë gjithmonë Alida Hisku. Çmimet, Medalja e Arit, diplomat që mora derisa erdhi koha e më hoqën të drejtën të këndojë, më duken sinqerisht shumë të vogla, sepse ajo më madhështorja është se mbeta në zemrën e popullit. Nuk mund ta kuptoj askush sesa shpërblim të madh kam marrë…
Kam qenë në skenë që 13 vjeçe, kur ende nuk e kisha mbaruar klasën e tetë në shkollën “Avni Rustemi”. Duhet të merrja pjesë në festivalin e 9-të të këngës në RTSH. Ky ishte festivali i pare, ku mora pjesë. Dhe më mori Agim Krajka për të kënduar këngën e Shkurte Pal Vatës. Me çantën e shkollës në dorë shkoja bëja provat. Atë vit ishte vrarë dëshmorja Shkurte Pal Vata.