Memorie.al publikon disa foto të rralla të organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar të bëra gjatë periudhës së Luftës në vitet 1943-1944, të cilat për vite me radhë u mbajtën sekret në arkivin e ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe nuk u publikuan kurrë nga historiografia e regjimit komunist dhe propaganda e asaj kohe, me qëllim që veprimtaria dhe roli i kësaj organizate nacionaliste të fshihej fare nga historia dhe memorja e shqiptarëve.
Në këto foto të panjohura me imazhe të rralla kanë dalë disa nga eksponentët kryesor të Rinisë së Ballit Kombëtar të inkuadruar në batalionin “Qeramudin Sulo dhe Besnik Çano” gjatë inkursionit që ata bënë në disa qytete të Kosovës, si Prizren, Pejë, Gjakovë etj., ku ata shkuan për të luftuar kundra forcave çetnike në verën e vitit 1944, si dhe në ceremoninë mortore të Azis Çamit, një nga udhëheqësit e Ballit që u vra me atentat nga gueriljet komuniste të Tiranës.
Në disa nga këto foto është batalioni i Rinisë së Ballit, “Besnik Çano dhe Qeramudin Sulo” duke hyrë në qytetin e Pejës e Gjakovës, ku i është bërë një pritje madhështore nga mijra e mijra banorë që kanë dalë në të dy anët e rrugës me lule në duar. Në krye të kollonës së forcave të rinisë nacionaliste, duket Seid Kazazi (komandanti i batalionit) dhe pas tij Arif Peza dhe Xhemal Alimehmeti, ndërsa në mes tyre me flamur në dorë, është Ridvan Banka, të tre nga qyteti i Tiranës dhe shokë klase me Ramiz Alinë në gjimnazin e kryeqytetit deri në vitin 1943 kur braktisën mësimet dhe dolën në mal për të organizuar rezistencën antifashiste.
Seid Kazazi, i diplomuar për Drejtësi në Vienë, u vra nga forcat komuniste në Kryengritjen e Postribës në vitin 1946, ku ishte në krah të vëllait të tij, Jup Kazazit, udhëheqësit kryesor të kësaj lëvizje antikomuniste që vrau veten për të mos rrënë i gjallë në duart e forcave komuniste. Kurse Arif Peza, po komandanti i një çete të Ballit që ishte dhe tmerri i komunistëve, në nëntorin e vitit 1944 u largua nga Shqipëria së bashku me eksponentët kryesorë të Ballit dhe Legalitetit si Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Kupi, etj., kurse një vëlla i tij, gjithashtu komandant çete i Ballit, u pushkatua nga komunistë, ndërsa tjetri, Qazim Peza vuajti vite të tëra në burgjet politike të regjimit komunist.
Arif Peza pasi qëndroi për disa kohë në kampet e Italisë, më pas emigroi në SHBA dhe Kanada, për t’u rikthyer në Shqipëri në vitin 1993 dhe ndërroi jetë në vitin 2008. Ndërsa Xhemal Alimehmeti, u arrestua menjëherë që në dhjetorin e vitit 1944 dhe pasi vuajti disa kohë në burgjet politike, për shumë vite punoi në ndërtim dhe ndërroi jetë në vitin 2005.
Krahas tyre në këto foto (në kamionin e hapur) duken dhe Rruzhdi Daca, Tom Leci, Lec Gjeçi dhe Pal Mirashi, eksponentë kryesorë të Rinisë së Ballit të qytetit të Shkodrës, të cilët iu bashkuan batalionit “Qeraudin Sulo dhe Besnik Çano” gjatë inkursionit që ata bënë në Kosovë ku luftuan kundra forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit.
Në një foto tjetër, është ceremonia e varrimit e Hamit Troplinit, djaloshit tiranas që u vra gjatë luftimeve të forcave të këtij batalioni në afërsi të lumit, Lim, dhe në plan të parë, (i dyti pa kapele) është Ramazan Turdiu nga Tirana, i cili po në nëntorin e vitit 1944 u largua nga Shqipëria me krerët kryesorë të Ballit dhe legalitetit duke u vendosur fillimisht në Itali ku përfundoi studimet e larta dhe u diplomua në Farmaci me gradën doktor dhe më pas emigroi në SHBA, ku studioi “Farmaci” në Columbia University dhe punoi për pesë dekada në kërkime farmaceutike për CIBA dhe “Warner Lambert”. Ramazani ndërroi jetë në SHBA më 25 nëndor 2012.
Në një foto tjetër janë pjestarë të batalionit të Rinisë Nacionaliste të Ballit Kombëtar në qershorin e vitit 1944 në qytetin e Prizrenit, duke dëgjuar dhe duartrokitur fjalimin e mirseardhjes së Bedri Pejanit, një nga krerët kryesorë të forcave nacionaliste të Kosovës dhe kryetar i Lidhjes së Tretë të Prizrenit.
Një foto tjetër e cila i përket datës 17 dhjetor 1943, duken disa eksponentë të tjerë të Rinisë së Ballit Kombëtar, si Ramazan Jarani, Luan Dosti, Ziçe Hatibi, Hamit Shehi, Luan Dosti, etj, në Rrugën e Kavajës duke mbajtur në supe arkivolin e Haziz Çamit, një nga eksponentët e Ballit Kombëtar i cili u vra pabesisht me atentat nga guerilejt komuniste të Tiranës. Për ironi të fatit edhe atentatori i tij një i ri komunist, për shumë vite vuajti në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës I akuzuar si “armik i popullit”.