I bllokuar që prej disa ditësh mes Turqisë dhe Greqisë, një amerikan i dyshuar si luftëtar i grupit xhihadist të Shtetit Islamik do të rikthehet më në fund në SHBA, konfirmoi sot Ankaraja.
“Procedurat e nevojshme për rikthimin në SHBA të luftëtarit terrorist kanë filluar pasi pala amerikane u angazhua për të pranuar rikthimin e tij në vend dhe për ta pajisur me një dokument udhëtimi”, deklaroi Ministria e Brendshme turke.
Xhihadisti, i identifikuar nga media turke si një amerikan me origjinë jordaneze, u dërgua të hënën në një pikë kufitare me Greqinë në provincën Edirne (veriperëndim të Turqisë) në kuadër të dëbimit të tij.
Por policia greke i ka ndaluar hyrjen në territorin e saj dhe xhihadisti ka mbetur i bllokuar në zonën tampon në kufi.
Deklarata e Ministrisë së Brendshme turke ndodhi pas një takimi në Uashington mes presidentëve turk, Recep Tayyip Erdogan dhe amerikan, Donald Trump.
Turqia filloi të hënën dëbimin e anëtarëve të dyshuar të Shtetit Islamik.
/a.r