Dompé Pharmaceuticals, një ndër kompanitë më të mëdha të biofarmaceutikës italiane, është tashmë një histori suksesi, investimi, edhe në Shqipëri. Për të festuar 5 vjetorin e aktivitetit në Tiranë, për të konfirmuar vazhdimin e angazhimit në këtë vend, tashmë edhe me planin zhvillimor “Dompé HUB Albania”, Dompé organizoi një takim dhe tryezë të rrumbullakët, me përfaqësues të institucioneve të larta shtetërore e diplomatike dhe personalitete të njohura të fushës së farmaceutikës e shëndetësisë.
Në fjalën e saj të hapjes, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, Drejtoresha Operacionale e Dompé Pharmaceuticals, znj. Eriona Gjinukaj theksoi se Dompé, si një kompani ambicioze, do të vazhdojë të ketë mision të saj inovacionin, investimin në formimin e profesionistëve të rinj, që do të jenë të gatshëm t’i përgjigjen revolucionit teknologjik në sektorin ndërkombëtar farmaceutik. Investimi në arsim, përmes bashkëpunimit të ngushtë me universitetet shqiptare, është një nga strategjitë kryesore për inovacionin dhe zhvillimet e vazhdueshme në farmaceutikë, për të plotësuar kështu edhe standardet e Bashkimit Evropian.
E pranishme në këtë takim ishte edhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu, përgëzoi 5 vjetorin e suksesshëm të Dompé dhe prezantoi politikat, legjislacionin mbështetës si edhe terrenin miqësor që qeveria shqiptare ka krijuar për investitorët e huaj në Shqipëri.
Suksesi dhe nismat e reja të Dompé u përshëndetën edhe nga ambasadori italian në Republikën e Shqipërisë z. Alberto Cutillo dhe Presidenti i Konfindustrisë së Shqipërisë, z. Sergio Fontana.
Më tej diskutimet vijuan në tryezën e rrumbullakët me Drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, znj. Narvina Sinani, Rektorin dhe zv. Rektoren e Universitetit të Mjekësisë, z. Arben Gjata dhe znj. Suela Këlliçi, Presidentin e Konfindustrisë së Shqipërisë, z. Sergio Fontana si dhe me Drejtuesin e Dompé Albania z. Roland Xhafaj.
U diskutua për mundësitë që ofron Shqipëria për të shërbyer jo vetëm si treg i mundshëm për zhvillimin e bizneseve inovative por edhe si një qendër e rëndësishme rajonale për të gjithë Ballkanin; për projektet zhvillimore për edukimin dhe trajnimin e stafit të AKBPM-së në linjë me standardet e BE-së; për investimin dhe bashkëpunimin mes universiteteve dhe bizneseve në edukimin profesional si dhe për vizionin e kompanisë Dompé që nuk e sheh Shqipërinë vetëm si vend gjeografikisht afër e që ka taksim të ulët për ndërmarrjet, por edhe si terrenin e duhur për strategji konkrete zhvillimore në vitet e ardhshme.
Dompé do të vazhdojë të investojë në Shqipëri, duke pasur si fokus kryesor edukimin profesional të të rinjve, çka do të jetë një nxitje e mirë për rritjen e ekonomisë shqiptare.