Sipas Vjosa Osmanit, Serbia nuk duhet të shpërblehet me tokë të Kosovës. Gjatë një interviste në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së theksoi se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të krijonte precedentë për gjithë rajonin.
“Serbia nuk duhet të shpërblehet me tokë të Kosovës për krime që i ka kryer duke filluar nga gjenocidi, krimet ndaj njerëzimit. Nuk ka asgjë pragmatiste në shkëmbim territoresh, i cili do krijonte zhvendosje të popullatës, rrjedhimisht një lloj zhvendosje që mund të duket paqësore, por është në fakt krim.
Ka probleme të shumta sepse krijohet precedent pasi shtetet që kanë kryer gjenocid duhet të shpërblehen me territor. Nuk mund të vendoset në situata të krahasueshme Serbia dhe Kosova dhe t’i thuhet të dyjave shpërblehuni me diçka. Kur kanë hyrë Kosova dhe Serbia në dialog pajtimi ka qenë që për hapat që do marrin do përfitojnë nga BE dhe jo të marrin diçka nga Kosova se Kosova është një shportë me mollë dhe me dardhë. Do krijonte një precedent në rajon. Nuk do përfundonte me Kosovë, do vijonte me Maqedoninë, me Malin e Zi e deri tek shtetet si Hungaria”, deklaroi Vjosa Osmani.
Ndër të tjera, ajo deklaroi se paqja mund të vendoset pas drejtësisë ndaj krimeve serbe. Sipas saj edhe SHBA është kundër idesë për shkëmbim territoresh.