Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha po zhvillon një vizitë zyrtare në Spanjë. Ministrja Gjosha, pati sot një takim me Sekretarin e Shtetit për Çështje Europiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Spanjës, Fernando Eguidazu.
Gjatë këtij takimi, Ministrja Gjosha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që Shqipëria ka me Spanjën, si dhe falenderoi Eguidazu, për mbështetjen e dhënë veçanërisht për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Ministrja Gjosha, nënvizoi se qeveria shqiptare po ndërmerr një sërë reformash të rëndësishme, të cilat i shërbejnë të ardhmes europiane të vendit.
“Integrimi europian, mbetet prioritet kombëtar i Shqipërisë. Ne jemi të vendosur që të gjitha reformat ti përfundojmë, pasi ato janë të domosdoshme jo vetëm për të çuar përpara procesin, por mbi të gjitha për të zhvilluar vendin, veçanërisht në sferën ekonomike, duke u mundësuar kështu shqiptarëve një të ardhme më të mirë”, tha Ministrja Gjosha.
Ministrja Gjosha e informoi Eguidazu, për punën e bërë mbi 5 prioritetet, ku theksoi se qeveria shqiptare është e vetëdijshme se pa përfundimin e reformës në drejtësi, nuk mund të kalohet në fazën e radhës së procesit të integrimit që është hapja e negociatave.
Ministrja theksoi se pritshmëritë janë për një progres-raport pozitiv nga Komisioni Europian, që do të vlerësojë reformat e kryera vitin e fundit nga Shqipëria.
“Kjo reformë do t’i kthejë besimin qytetarëve tek sistemi i drejtësisë, por nga ana tjetër do t’i shërbejë Shqipërisë, për thithjen e më shumë investitorëve të huaj, të cilët do të gjejnë sigurinë e një shteti demokratik. Është një reformë thelbësore, që kërkon konsensus dhe që shkon përtej partive politike”, tha Ministrja Gjosha.
Sekretari i Shtetit për Çështje Europiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Spanjës,Fernando Eguidazu, vlerësoi progresin që ka bërë Shqipëria dhe u shpreh se Spanja do të jetë mbështetëse e Shqipërisë në rrugën e saj evropiane.
Eguidazu tha se progres-raporti që do të publikohet së shpejti do të mundësojë një panoramë më të qartë për arritjet që ka pasur Shqipëria në procesin e integrimit.