Nga Ardit Rada
Paqja që u duk në horizont mes Presidentit dhe Kuvendit, javën që lamë pas, nuk zgjati shumë. Dekretimi i dy ligjeve u prish nga ngërçi ku Ilir Meta po tenton ta fusë zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Dhe atmosfera politike u kthye në origjinë, fal “argumenteve” të reja që buruan nga Presidenti.
Vetëm katër mua më parë, bashkëshortja e Presidentit do të deklaronte në një studio televizive se Gjykata Kushtetuese po pengohet nga Edi Rama. Monika Krymadhi, e njohur për kataklizmat që paralajmëron herë pas herë, u shpreh se mungesa e GJK do t’i çojë shqiptarët drejt vetëgjyqësive. Sigurisht që sot Kryemadhi ndihet e zhgënjyer pse askush nuk u vra këto katër muaj dhe që t’i dalë fjala mbase po kërkojnë ta shtyjnë edhe ca mungesën e Kushtetueses.
Por përtej shakave, teksa Kryemadhi paralajmëronte vetëgjyqësitë, bashkëshorti i saj në po të njëjtën kohë fajësonte mazhorancën për mungesën e gjykatës në fjalë. Është deklarata e famshme e Ilir Metës që pas pushimeve herë me brekë në det, e herë me qen në malet e Bosnjes, zbriti në zyrë për ta cilësuar reformën në drejtësi si “Ramaformë”. Dhe jo vetëm kaq, por e cilësoi atë që ka ndodhur si “një tjetër Guiness shqiptar”.
Për ta cituar saktë, përtej të tjerave, Presidenti është shprehur në korrik se “Një tjetër Guinness i ri shqiptar, 16 muaj pa Gjykatë Kushtetuese funksionale. Ramaforma nuk e donte Gjykatën Kushtetuese funksionale, sepse vetëm kështu nuk kishte se kush t’i kontrollonte vendimmarrjet antikushtetuese që ai realizoi me Ligjin për Teatrin etj”.
Dhe për ta kujtuar sinkronin e opozitës në akuzat për Kushtetuesen, nuk mund të lihet pa përmendur pika e dobët e Ilir Metës.
Ndryshe nga Kryemadhi që trembej se mos vriteshin njerëz, Sali Berisha e gjente vetë Gjykatën Kushtetuese si viktimë. Mjaft t’u rikthehemi qëndrimeve të tij ku mbizotëron përcaktimi se ‘Edi Rama e ka ekzekutuar Gjykatën Kushtetuese”.
Përtej termave juridikë, sqarimeve për rolin e KED, ligjin apo afatet e tij, duket se këtë herë halli është vetëm i Metës. Kjo për faktin se bllokimin e Kushtetueses nga ai nuk e ka komentuar askush gjërë e gjatë përveç Petrit Vasilit. Vetë PD-ja kohë më parë e ka pritur me padurim Gjykatën Kushtetuese, për të paditur Ligjin e Teatrit, PPP-të e të tjera ligje që i ka atakuar.
Por në rastin e Metës, a është e drejtë të mendohet se ai po lufton për hallin e tij? Teksa procedura e shkarkimit është në rrugë pa kthim; teksa “Venecia” e rrëzoi veprimtarinë e tij të çdekretimeve; teksa ai nuk e mbajti fjalën për dorëheqje; A nuk është e drejtë të mendohet se vetëm Ilir Metës nuk i intereson formimi i Gjykatës Kushtetuese?
Sot që Presidenti e sheh atë si gijotinë të kolltukut të tij, po përpiqet që me çdo kusht të gjejë sebepe për ta frenuar. Ajo që të çudit në të gjithë këtë histori vjeshte, është qëndrimi i përsëritur i Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve se përzgjedhja e anëtarëve të Kushtetueses është në rrugën e drejtë, sipas përcaktimeve të Reformës.
Fatmirësisht në rastin e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, Presidenti nuk ka hapësirë që të kapet me emrat.
Pastaj historia me afate e me data, është e vjetër…