Në Ohër po zhvillohet Samiti dy ditor në kuadër të nismës për mini Shengenin Ballkanik. Pas takimit informal 120 minutësh mes pritësit të këtij samiti Zoran Zaev me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç biseda u zhvendos në një darkë zyrtare në një nga restorantet e Ohrit.
Rama ka zgjedhur të ulet në tryezë përballë presidentit Vuçiç, teksa në krah të këtij të fundit është ulur Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, e cila po ndjek nga afër Samitin, raporton ora news.
Ndërkohë axhenda e të dielës do të nisë me mbledhje pune ku përveç tre liderëve të Ballkanit Perëndimor do të marrin pjesë kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, dhe ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi.
Në Samit mungon Kosova. Presidenti Thaçi tha se ka refuzuar pjesëmarrjen për shkak se Kosova nuk merr pjesë në një Samit me shtete që nuk e njohin.
Pas mbledhjes, të dielën në 12:00 do të ketë një konferencë të përbashkët. Më pas Rama do të ketë dhe një bashkëbisedim me gazetarët nga Tirana që po ndjekin nga afër këtë samit.
Pas mbylljes së punimeve të Samitit të Ohrit pritet të ketë një Samit në Tiranë që me shumë gjasa mund të mbahet në muajin dhjetor.
“Si President i Republikës së Kosovës, dua të informoj qytetarët se, kam refuzuar pjesëmarrjen time në Samitin e Ohrit. Ky vendim për mospjesëmarrje bazohet në disa argumente ekzistuese. Së pari, Kosova, qëllimshëm, ishte anashkaluar nga Serbia në samitin e parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale. Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja-Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës“, shkruan Thaçi.
g.kosovari