Policia e Astit në Itali ekzekutoi urdhër-arrestin e gjykatës ndaj një 25-vjeçari shqiptar, i cili kërkohej për shfrytëzim prostitucioni. Në korrik të vitit 2018 ai i kishte shpëtuar arrestimit, duke shkuar menjëherë në Shqipëri, ndërsa policia italiane zhvillonte operacionin e koduar “Gjenerata e re”.
Grupi hetimor kishte identifikuar 11 persona që bashkëpunonin për të shfrytëzuar si prostituta me dhjetëra vajza shqiptare. Në pranga ranë 4 tutorët që duken në foto, dy 33-vjeçarë, një 29-vjeçar dhe një vajzë 28 vjeçe, të gjithë shqiptarë.
U identifikuan më shumë se 12 vajza të ardhura nga Shqipëria, ku më e vogla sapo kishte mbushur 18 vjeçe. Ndonjëra prej tyre kishte lidhje emocionale me tutorët, ndërsa aktiviteti zhvillohej në shtëpi të siguruara nga tutorët apo edhe në apartamentet e klientëve, kur rastet ishin me porosi.
Banda kishte zhvilluar një rrjet të brendshëm spiunazhi, ku kontakti më policinë bëhej i pamundur. Secila nga vajzat grumbullonte nga 500 deri në 600 euro fitim në ditë, ku fillimjavët ishin momentet më shpërblyese, pasi klientët kishin më pak angazhime familjare, shkruajnë mediat italiane.
Ndërkaq, gjatë zhvillimit të operacionit policor në Itali, 25-vjeçari qëndroi për më shumë se një vit në Shqipëri dhe këtë të martë udhëtoi nga Tirana drejt Torinos, ku u identifikua nga autoritetet e aeroportit dhe iu dorëzua policisë së Astit.
g.kosovari