Në kuadër të nismës “U’ jam Arbëresh”, Presidenti Ilir Meta po zhvillon një vizitë pune në rajonet e banuara nga arbëreshët në Kalabri dhe Pulja. Me ftesë të autoriteteve lokale, Kreu i Shtetit vizitoi fillimisht Bashkinë e Plataçit (Pllatën), ku pati një takim të ngrohtë e të përzemërt me përfaqësues të shumtë të komunitetit arbëresh.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve ishin Kryetari i Bashkisë së Plataçit, Francesco Tursi, Kryetari i Bashkisë së Spezzano Albanese, Ferdinando Nociti, drejtuesi i Shoqatës “Jeronim De Rada” në Shën Mitër Korona, Giovanni Mazzei, si dhe autori italian me origjinë arbëreshe Mario Brunnetti, Presidenti Meta në fjalën e tij u shpreh:
“Është një kënaqësi shumë e veçantë të jem në Plataçi, në këtë vend të mrekullueshëm dhe me histori të madhe, nga ku vjen dhe origjina e një personaliteti të madh, jo vetëm të Italisë dhe të Europës, por dhe të njerëzimit, siç është arbëreshi Antonio Gramshi, figurë përherë frymëzuese për të gjithë ata që e duan dhe e meritojnë lirinë.
Jam shumë i lumtur që rikthehem në Plataçi, në prag edhe të 75-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, për të nderuar nga këtu edhe të gjithë ata italianë, të cilët pas kapitullimit të Italisë fashiste nuk kërkuan thjesht të bënin paqe me fatin e tyre, por u bashkuan në një nga batalionet më të lavdishme, që bëri një emër të madh në luftën kundër nazizmit në vendin tonë, në batalionin “Antonio Gramshi”, duke sakrifikuar edhe jetën për çlirimin e Shqipërisë”, u shpreh Meta.
Me tëj Presidenti tha se, ky komunitet ka një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e kombit tonë, jo vetëm për të ruajtur ato tradita, që nga koha e Motit të Madh të Skënderbeut, por edhe sepse kanë patur një rol të madh për bashkimin dhe organizimin e tërë shqiptarëve.
Një falënderim të veçantë e kam, jo vetëm për autoritetet e bashkisë këtu dhe për mikun tim Mario Brunetti, por edhe për Institutin “Mezzogiorno Meditteranio”, që ka organizuar këtë takim. Jam shumë dakord me shqetësimet që ngriti kryetari për rëndësinë e zbatimit praktik të atyre ligjeve të mira që janë miratuar në Parlamentin Italian falë edhe kontributit të mikut tonë Brunetti dhe të shumë personaliteteve të tjera, në veçanti për mbrojtjen e gjuhës dhe të mbrojtjes së minorancave kulturore.
Besoj që në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë tuaj, por edhe me qeveritë rajonale ne do të arrijmë të bëjmë më shumë në këtë drejtim për zbatimin në praktikë të këtyre të drejtave sepse ekzistojnë të gjitha mundësitë. Për mua ka qenë gjithmonë kënaqësi se që nga Presidenti Mattarella, por edhe shumë personalitete të tjera italiane, sa herë kemi biseduar për komunitetin Arbëresh, kanë patur përherë një preokupim mjaft të sinqertë për të dhënë mbështetjen e tyre, për ruajtjen e kësaj pasuri të madhe kulturore, që është e përbashkët, si e Italisë edhe e Shqipërisë.
Meta thekson se Qeveria shqiptare, ka miratuar një vendim për të ngritur ‘Qendrën e Studimeve Arbëreshe’, që është një lajm pozitiv. Unë, mendoj që do të kemi dhe shumë akte të tjera që, do të synojnë mbrojtjen e kësaj trashëgimie të jashtëzakonshme shumë shekullore.
“Do të kemi bashkëpunim edhe me qeverinë italiane dhe me shtetin Italian, për të bërë çdo gjë, që kjo trashëgimi e pasur kulturore të mbrohet nga UNESCO. Pata kënaqësinë të merrja pak muaj më parë librin e mikut tonë Mario Brunetti, për Antonio Gramshin, ‘Gramshi njeriu dhe miti’, një libër vërtet shumë emocionues, që nuk flet vetëm për mendimet, por dhe për idetë jashtëzakonisht progresive të Gramshit në atë kohë, shumë prej të cilave qëndrojnë edhe në kohën e sotme. Është një libër që tregon karakterin e tij që e bënë këtë personalitet të jashtëzakonshëm edhe për ditët tona. Sigurisht karakteri i fortë i Gramshit, vinte edhe për shkak të përkatësisë së tij arbëreshe. Plataçi ka meritën e vet, për arsye se personaliteti ndonjëherë ka shpesh një vlerë shumë të fortë, për t’i bërë idetë e pavdekshme”, tha ai.
Sipas Metës, sot jetojmë në presione nga më të mëdhatë, dhe një presion është ai që vjen nga globalizimi. “E ndjejmë ne që jemi vende më modeste se Italia, por edhe Plataçi e ndjen, edhe Kalabria e ndjen, edhe Jugu i Italisë e ndjen. Prandaj duhet të bëjmë çdo gjë për të ruajtur traditat tona, zakonet tona.
Presioni kryesor i globalizmit është të jepemi pas momentit dhe të harrojmë identitetin, historinë dhe rrënjët tona. Por pa identitet, pa histori, pa rrënjë nuk ka të ardhme. Dhe besoj që ky është mesazhi më i mirë që mund të japim edhe këtu nga Plataçi dhe nga Kalabria.
Të bashkuar ne do t’i përballojmë të gjitha sfidat, në mënyrë që të kemi një të ardhme shumë më të mirë e të ndritur për popujt tanë, për vendet tona, për fëmijët tanë, në Plataçi, në Kalabri, në Shqipëri. Ne kemi kaq shumë diell dhe duhet të kemi më shumë shpresë dhe duhet të punojmë më shumë për ta kthyer këtë shpresë për të rinjtë tanë”, përfundon Meta.
/a.r