Reshjet e shiut që kanë vijuar me intensitet përgjatë gjithë natës kanë krijuar probleme në pothuajse të gjitha rrugët e Durrësit.
Rrethrrotullimet hyrëse dhe dalëse në qytet, kryqëzimi të Stadiumi, kryqëzimi pranë lagjes 17, aksi i brendshëm nga Torra Veneciane, në drejtim të Currilave, janë disa prej pikave më problematike, që vijojnë të jenë nën ujë që prej mbrëmjes së djeshme.
Kaos në qarkullim, ujë brenda banesave, kryesisht në zonën e lagjes 13 në Plazh dhe Shkozet dhe probleme me mjetet, është panorama me të cilën janë zgjuar qytetarët durrsakë.