Emisioni investigativ italian “Le Iene” ka risjellë në vëmendje mbrëmjen e djeshme historinë e mjaft vajzave shqiptare që punojnë në rrugët e Italisë si prostituta dhe shfrytëzohen nga padronët e tyre bashkëkombas.
Gazetari Luigi Pelazaa, i njohur për publikun shqiptar për rastin e 11-vjeçarit Alvin Berisha, ka dokumentuar aktivitetin e prostitutave shqiptare konkretisht në rrugët e qytezës Siziano, në provincën e Pavias.
Nga një bisedë e regjistruar fshehurazi me një nga prostitutat, zbulohet se fitimi i saj i nxjerrë në muaj është rreth 10 mijë euro, 1 mijë prej të cilave detyrohet t’ua paguajë padronëve për vendin në rrugë.
Kronika e emisionit “Le Iene” vendosi theksin tek pushteti i tutorëve shqiptarë që kanë në provincën e Pavias, duke mos lejuar që asnjë prostitutë me shtetësi tjetër të punojë.
Vetëm pak ditë më parë, e përditshmja italiane “La Stampa” publikoi një dosjer investigativ mbi biznesin e prostitucionit në Itali, ku thuhej se “Mafia shqiptare ka një shtrirje kapitale të kontrollit të biznesit të prostitucionit në të gjithë Italinë. Kontrolli i tyre sa vjen dhe bëhet më i fortë”.