Nga ARTUR AJAZI
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka vendosur të dalë më në fund nga bunkeri, dhe të nisë “turin e tij vjeshtor” për të sqaruar rininë mbi situatën politike në Shqipëri . Mësohet se tema kryesore e diskutimit do të jetë “anëtarësimet e reja”, pasi mbi 1 muaj më parë, zoti Basha kishte porositur koordinatorët e shpërndarë në rrethe, që deri në fund të tetorit,të identifikonin “votuesit besnikë” të PD. Gjithashtu Lulzim Basha u kërkoi përfundimin e regjistrimeve të reja, dhe ka porositur kryetarët e degëve të mbledhin sa më shumë të rinj, pasi sipas tij “do të diskutohet mbi arsyet e emigrimit dhe rigjetjen e shpresës në Shqipëri”. Por a ka mbetur gjë vallë për të “diskutuar dhe sqaruar” Lulzim Basha me të rinjtë në Elbasan apo gjetkë, a ka mbetur gjë pa dalë në media mbi gjithçka ka nisur dhe bitisur ai deri sot ? A do ti “sqarojë” kryetari Basha të rinjtë mbi paaftësinë e ish-opozitës për të organizuar partinë, protestat popullore, për dështimet e humbjet e PD pas 2013 në zgjedhje, a do ti “sqarojë” kryetari Basha të rinjtë se përse iku nga pallati dhe vajti në një vilë luksi, a do ti sqarojë të rinjtë kryetari Basha se përse Partia Demokratike nuk po ringrihet, nuk po europianizohet, se përse nga ajo parti janë larguar dhjetra e qindra emra që kanë vënë gurin e themelit qysh para 29 vitesh, a do ti sqarojë kryetari Basha të rinjtë se përse janë “firuar” mbi 250 mijë vota nga partia e dhjetoristëve ? Këto dhe shumë e shumë pyetje dhe dilema të tjera, janë detyrim për kryetarin Basha t’ja sqarojë vërtetë të rinjve, atyre që sot më tepër se kurrë nuk qasen në PD, duke e gjetur mes tyre arsyen e vërtetë. Duke nisur turin e tij të “shpresës për rininë” apo dhe profka të tilla si “të shpëtojmë vendin nga gremina qeveritare”, Lulzim Basha thjesht ka nisur fushatën e testimit të bazës (atyre që i kanë mbetur akoma në rrethe) mbi skandalet e fundit në SHQUP, duke nisur nga babalet, dosjet e “krimit dhe korrupsionit” që u kthyen në estradë, apo dhe vilën e re, tek e cila ai ka vendosur (i detyruar nga kushtet) të banojë, pas “tërmetit” që i dëmtoi apartamentin. Çfarë do tu rrëfesh të rinjve në Elbasan, Durrës, Korçë, Vlorë, Shkodër, e kudo ke vendosur të shkosh, do tu japësh “leksione emigranti” dhe do ti ftosh ata “të bëhen anëtarë të PD” kur situata në atë parti aktualisht është alarmante ? E nise me vonesë turin e vjeshtës Lulzim, e nise me vrullin “rinor” duke dashur të ngjallësh shpresën tek baza e partisë, por cilën shpresë ? Ajo është “vrarë” qysh në 2013, u rivra pastaj në 2017, dhe nuk ka shanse të ringjallet më. Lëre fushatën dhe eskursionin vjeshtuk Lulzim, sepse edhe vetë do ta besosh se të rinjtë sot, nuk mashtrohen më si dikur, sepse të rinjtë sot nuk mund ti bësh “opozitarë” duke u treguar përralla me “krime dhe korrupsion”. Ata janë brezi i elektronikës, janë të shkolluar, ata janë e ardhmja dhe shohin përpara, madje shohin më larg se ty. Ata janë për Europën dhe jo për “Ruso-azinë, ata janë për lëvizjen e lirë, dhe jo mbylljen në oborrin e SHQUP-it. Nise turin në rrethe Lulzim, dhe tregoi të rinjve histori me “fitore plebishitare” si ato të Doktorit, tregoi të rinjve, si bëhesh i pasur kur bëhesh ministër, dhe mos harro tu tregosh atyre, edhe se si bëhesh kryetar partie edhe pse ke humbur 4 palë zgjedhje të lira. Shpreso të të besojnë ndopak në rrethe Lulzim, thjesht sa të harrohet “çudia e madhe” .