Nga Ardit Rada
Lulzim Basha e ka nisur turin e takimeve me të rinjtë nga qyteti Elbasanit, ku panorama ka qenë zhgënjyese. Që në njoftimin paraprak, PD ka lënë një shije të hidhur duke listuar qytetet ku do të udhëtojë kreu i saj dhe orarin fiks se kur qytetarët do të kenë mundësi t’i qajnë hallet atij.
“Çdo ditë në orën 17:00, nga e marta deri në të premte, Lulzim Basha do të jetë më pas në Korçë, Shkodër, Vlorë dhe Krujë” – thuhet në reklamën që selia blu i bën kësaj gjetje të re, me të cilën Basha po zëvendëson protestat.
Por pa pasur asnjë merak për pjesëmarrjen në takimet e kryeopozitarit, shqetësimi mbetet i njëjti që prej vitit 2013 kur ai u zgjodh në krye të partisë. Mungesa e ngritjes së një fryme nga ana e PD dhe ndryshimet e planeve çdo tre muaj ngrenë pikëpyetje të mëdha për seriozitetin e alternativës që Basha po tenton t’u japë shqiptarëve.
Së pari, në takimet e nisura me të rinjtë presupozohet se marrin pjesë mbështetës nga të gjitha partitë e opozitës jashtëparlamentare. Nëse ata 30 vetë në Elbasan përbëjnë 85 përqindëshin e atij qyteti, kjo është më e rëndë sesa 7×7=42. Dhe kur kjo situatë është në qytetin që e ka nxjerrë Lulzim Bashën deputet, mos prisni takim në Gjirokastër. Mund të kishte një shans për pjesëmarrje në Lazarat, por të rinjtë e fshatit janë në burgje prej drogës që i ujiste PD-ja e Berishës.
E dyta lidhet me mesazhet e tij dhe planet në hava që paraqet për rininë. Basha u shpreh në takimin e parë se do të angazhohet për të rikthyer shpresën. Vetëm kaq, pa dhënë një plan ekonomik e social të detajuar. Sepse për Lulzim Bashën shpresa vjen duke ndezur blicet e celularëve. Mungesa e një platforme dhe demagogjia në shtim, në vetvete janë tregues të nevojës që ai ka për popullaritet, dhe jo për zgjidhje.
Teksa ndërkombëtarët presin nga Lulzim Basha që të ulet në dialog, së paku për Reformën Zgjedhore, ai duket se mbetet ende larg bashkëpunimit me të gjithë. Pas Kuvendit dhe 30 Qershorit, opozita jashtëparlamentare e braktisi edhe rrugën. Me një plan ‘të dalë ku të dalë’ vështirë se e mbledh dot 85 përqindëshin. Aq më pak nëpër salla hotelesh.