Makina e modelit Lotus, ngjyrë portokalli që ai ka ndërtuar 10 vite më parë, nuk ka një markë.
Kadri Manaj mendon të çelë kompaninë e parë shqiptare të ndërtimit të automjeteve artizanale. Ai është tek të 30-at dhe makinën e parë artizanale ka nisur ta ndërtojë në moshën 13-vjeçare.
Sëbashku me shokun e tij të ngushtë Oltin, çdo fundjavë, më këmbë a me biçikletë ata përshkonin 5 km deri sa mbërrinin në Plykë të Fierit ku i priste oazi i tyre i eksperimentit, një shtëpi përdhese me oborr me hapësirë të mjaftueshme ku dy adoleshentët larg zhurmës së qytetit prodhonin ëndrrat e tyre.
“Projekti i parë ka qenë me grup motorri, jo me grup makine”- kujton Kadriu, i qetë dhe i buzëqeshur, fjalëpak e ëndrrashumë.
“Ishte si një motor me katër rrota. Ishim shumë të vegjël dhe nuk kishim fuqi ta ngrinim motorrin e makinës. Prindërit e mi më mbështesnin me pjesën monetare. Mendonin se do të arrija diçka dhe iu pëlqente idea që merresha me diçka dhe nuk rrija lokaleve si shokët e mi. Harxhoja kohën me diçka të vlefshme.”- më rrëfen Kadriu.
Makina e parë u ka shkuar adoleshentëve 300-400 mijë lekë të vjetra. Pjesët i kishim të sajuara. Ngaqë ishim të vegjël, vijon bisedën ai, dhe nuk kishim shumë besim se do të bënim ndonjë gjë të madhe, nuk donim të shpenzonim shumë.
“Por pasioni ishte shumë i madh, ai na mban gjallë edhe tani për të jetësuar ëndrrat tona. Ose e ke, ose nuk e ke. Nuk mund ta edukosh dot, është si magnet”- më tregon ai.
Ai projekt funksionoi për disa kohë. Djelmoshat mund të ecnin në rrugët e lagjes; 30-40 km në orë. Dhe ajo makinë tashmë nuk ekziston më, por ngjizi ëndrrat për gjëra më të mëdha.
Kadriu në ditët e para të nëntorit është pjesë e panairit të Koleksionit të Mjeteve Historike Retro “N’gaz”.
Makina e tij e modelit Lotus të më shumë se 40 viteve më parë qëndron përpara Muzeut Historik Kombëtar në anën e majtë.
Është lehtësisht e dallueshme; është e vogël, ngjyrë portokalli e ndezur dhe ngjason me një makinë garash.
“Kështu e kanë menduar të gjithë adoleshentët dhe të rinjtë që kanë vizituar panairin. Janë apasionuar shumë pas kësaj makine”, më thotë Kadriu tek e zhvesh makinën nga qesja që e kishte mbështjellë për të hapur kofanon që të më tregonte motorrin.
Idea për këtë makinë u ka lindur më shumë se 10 vite të shkuara, tre vite pas projektit të parë. Shkëndijën fillestare Kadriu e mori nga një videoklip në televizor ku makina e ëndrrave u shfaq vetëm për 3 sekonda, ishte në ngjyrë jeshile.
Ndërsa e pyes se në ç’ngjyrë do ta kishte preferuar sot, më thotë “të zezë mat”.
“Më pëlqeu shumë si makinë, por nuk dija asgjë për të. Kërkova shumë në internet. Gjeta gjithçka aty, që nga projekti, emri, çfarë makine ishte.”- më tregon Kadriu.
Makina ka përfunduar dhe ka marrë formën e asaj që publiku ka parë në Sheshin “Skënderbei” vetëm 10 ditë më parë.
Sepse, më shpjegon Kadriu, nuk ka asnjë hapësirë ligjore që të legalizojë një makinë të prodhuar vetë, duhet të jetë prodhim fabrike. Kjo ka qenë pengesa e tyre për të vazhduar edhe në projekte të tjera.
Kjo makinë ka nisur vetëm me profile hekuri; disa profile që blihen në treg të zakonshëm e nga aty ka nisur shasia.
“Çdo gjë është me projekt, çdo profil është i prerë me këndet e duhura, në proporcionet e duhura. Për këto makina ka forume të ndryshme në internet, për të cilat njerëzit shkëmbejnë njohuri.”- më tregon Kadriu tek shijon kënaqësinë që ka marrë në panair pasi ka nxjerrë në dritë punën e 10 viteve që kish mbetur në garazhin e shtëpisë së Plykës ku edhe u ngjiz.
Locost është emri i makinës, të cilën e ka prodhuar Lotusi në vitet 1964-1965.
Asokohe kanë qenë makina garash dhe shumë të apasionuarit i kanë rikthyer sepse janë makina shumë të thjeshta për tu realizuar në kushte shtëpie.
Pasi kanë kaluar mbi 40 vite nga prodhimi që do të thotë e kanë humbur të drejtën e copyright, e kanë bërë projektin publik. Të gjithë kanë mundësi ta marrin këtë projekt përmes internetit, ta shohin e ta realizojnë.
Kadriu më thotë se kjo makinë ka pjesë të makinave të zakonshme, por asamblimi bën diferencën.
Me këtë makinë mund të ecësh në distanca të gjata. Ai e ka provuar për një distancë deri në 10 km sepse nuk mund të dalë në qytet për shkak se i mungon dokumentacioni.
“Kjo na ka penguar. Në BE nuk ekziston një pengesë e tillë. Ti blen numrin e shasisë, shkon në kolaudim dhe nëse e kalon, del në rrugë.”- shprehet i mërzitur Kadriu duke më thënë se mendon që është i vetmi që prodhon makina në Shqipëri dhe nuk ka iniciativa të ngjahsme, pikërisht për shkak të mungesës së ligjit.
Ai kujton se sëbashku me shokun e vetë kanë harxhuar shumë kohë dhe shumë kohë lekë për të testuar.
“Shkonim blinim pjesë, herë bënin, herë nuk bënin. Ishte pjesa e mosdijes. Ne konsultoheshim me internetit, por pjesa më e madhe ishin njohuri për makinat amerikane. Dhe ne e kishim shumë të vështirë të gjenim pjesë në Shqipëri, Fier. Edhe buxheti ynë nuk ishte i mjaftueshëm.”- më tregon ai.
Projekti do të niste me 200 mijë lekë të vjetra dhe pastaj shto ujë e shto miell, thotë Kadriu, derisa ka arritur në 5 mln lekë, por pa llogaritur pjesën e karburantit që lëviznin për të blerë pjesët dhe për të transportuar makinën. ( psh për ta lyer, apo për ta veshur).
Makina antike Lotus, por prodhim i ri është ndërtuar me profile hekuri me trashësi 3 cm, pjesa e kabinës, kofanit me lesh xhami, rezin. Me këtë material djemtë kanë testuar edhe shumë pjesë të tjera. Pjesa tjetër e makinës është ndërtuar me llamarinë dhe profile nga makina Alfa Romeo, Audi, Fiat, gomat janë të Lancia, motorri opel, kamio manual.
Kadriu dhe Olti kanë arritur të ecin me të deri në 90 km në orë. Nëse ligji ndryshon dhe parashikon formalizimin e makinave artizanale, më tregon Kadriu, makina duhet të kalojë edhe testin e tunelit me erë e mandej, pas kolaudimit është gati të dalë në rrugë.
Tek e pyes nëse do të guxonte ta shiste këtë makinë, Kadriu më thotë se nëse do të arrinte të çelte kompaninë e prodhimit të makinave artizanale, do ta shiste. Në të kundërt jo, sepse e konsideron si suvenirin më të shtrenjtë nga pjesa më e bukur e jetës së tij që është adoleshenca.
Të dy shokët aktualisht janë duke elaboruar një plan biznesi për kompaninë ku mendojnë të investojnë si kapital fillestar për punishten dhe mjetet 20 mijë euro, që sipas Kadriut do ti lehtësonte punën e prodhimit.
Punishtja do të vendoset në zonën e Fierit, ku pridnërit kanë toka të mjaftueshme, “babi im ka investuar vetëm në toka”- thotë Kadriu.
Ai mendon që makinat e para të jenë modele klasike që nuk i prek copyright, modele mercedesi të 1926-1929, pasi sipas tij, modelet e para janë më të thjeshta për tu realizuar.
Dhe sipas Kadriut, një avantazh i madh është teknologjia krahasimisht me atë kohë kur janë ndërtuar për herë të parë.
Kadriu me profesion është inxhinier elektrik dhe i ka thelluar studimet në informatikë të aplikuar, kurse shoku i tij i ngushtë është infermier dhe i bashkon pasioni për makinat.
“Kemi menduar fillimisht të krijojmë disa modele për tregun e huaj. Do jenë më të lira sepse do të prodhohen në Shqipëri.”- më shpjegon Kadriu.
Një makinë e tillë e ndërtuar nga zero mund të shkojë 3 mln lekë të vjetra, ndërsa jashtë mund të shitet mbi 10 mijë euro.
Targeti i klientëve janë përsonat e apasionuar, ose që merren me sport sepse këto janë makina shumë të shpejta. Motorri i tyre është deri në 600 kg, po aq sa motorri i makinave të garave.
Kemi menduar, thotë Kadriu, që në fillim të bëjmë 3-4 modele. Një model kërkon 6 muaj kohë nëse për të punojnë 4 veta.
Si fillim tregu do të jetë ai në internet. Kadriu më shpjegon se ka dyqane on line, tregu është i hapur dhe mirëfunksionon.
E më pas ai mendon që të nisë të prodhojë më porosi. Por derisa të zgjidhet çështja ligjore, ky projekt mbetet veç në letra…