Nga Lekë Tasi*
Dola nga ekspozita e Gazmend Lekës me mbresa të forta. Personalisht kam qënë i dyzuar mbi mënyrën e tij të pikturimit, dhe arsyeja ësht e kuptueshme: prirja e tij e theksuar ndaj të errtës, madje të zezës. Më shqetsonte sepse e njihja si dishepull të Petro Zhejit, gjë që sëpaku të bën shpresëtar, dhe për pasojë ‘diellor’…Por nuk është e thënë që një filosofi e caktuar të ketë zbatime univoke edhe në art, që thjesht pjesëmarrja në atë ‘klub’ të ndikojë edhe në stil ose gamë koloristike.
Gazin e tërhiqte misteri i simboleve, ndaj dhe u thellua në to. Ato e inspiruan me qiej nokturnë dhe diej të largët të shoqeruar me simbole dhe ambjente misterioze që te impresiononin per larmine e tyre. Megjithatë, kur e shoqëroj me mend zhvillimin e Gazit në tri ekspozita, (po i vendos ato arbitrarisht si tri dhe pò ashtu me intervale pesëvjeçarë, 2009-2014-2019), e para me karakterin e lartpërshkruar në formate të vogla mbi dru ahu, e dyta me formate shumë të mëdha dhe me një agim të zbehtë të dritës, për të cilën e përgëzova dhe parashikova një kthesë të pritshme më të plotë drejt ngjyrës, gjë që mu vërtetua dje dhe më gëzoi qysh sa hyra. Rreshtimi i punëve në tri sallat e FAB paraprihet në hyrje nga një fytyrë djali të mitur që ka në zonën syve një dritë të dlirë, e cila sipas meje simbolizon pafajsinë tonë fillestare, të nisur të përballojë dramën e ekzistencës, dhe që duke u luhatur mes qëndresës dhe ligshtimit gjatë sprovave, do t`i shërbejë si yll polar në moshën e pjekuris, për një përdëllim final drejt dritës. Gjetja e tij me torturat mu duk mjaft origjinale, sepse zbërthen piktorikisht e sidomos simbolikisht alienimin e rrezikshëm ekzistencial (rënia në mëkat/pamundësi për tu liruar sij). Ai jepet me një autoportret të çarë dysh, njeri nën gjithfarë torturash, dhe tjetri aty pranë, spektator e në krizë. Kontrasti koloristik është i artikuluar mirë, materialiteti i sipërfaqeve po ashtu. Mirëpo errësira sfond përvijohet deri në fund në serinë e Dhomave siç i ka quajtur Leka, (alias kurthet që gjatë jetës që do t`i mundojnë shpirtin) pa një avancim drejt lirisë. Mbetja tek ky hap kritik, të mundimit të egër, mesjetar e thuajse makabër, të kujton largazi “Kolonia Penale” të Kafkës, dmth një ‘amor fati’ përjetuar me ngulmim të mbrapësht. Pritja që përdëllimi do të përligjte mundimet, nuk mu vërtetua, kështu që dhe i mituri simbol, me një aureolë eliptike mbi krye mbetet pò spektator, thjesht një ishull pafajsie e pafuqishme, dhe jo një guidë drejt shpresës për një Hir që vjen sëlarti dhe shpëtimtar. Të kishim një shenjë qoftë pak të shqiptuar por të vullnetshme nga piktori te salla e tretë, një aluzion shpëtimi, do t`i jepej kuptim tërë rrugës së torturave dhe vet ekspozitës si e drejtuar tek përdëllimi.
Mundimet janë nga më të egrat, dhe materiali metalik – i dhënë mjeshtërisht, siç di në përsosuri ta bëjë Gazmendi. Ajo që më sëmboi ndërsa e shoqëroja me sy këtë sequencë me gjetje të mira kompozicionale, detaje e kontraste, ishte fakti, po e përsëris, që terri nuk u ndahej askund si sfond. Kështuqë cikli mbyllej siç e parandillte qartë edhe titulli i ekpozitës: ‘hapat e humbura’… Bëra analogji me vepra piktorësh me subjekte shenjtorësh nën tortura, si ‘Martirizimi i Shën Sebastianit’ i Mantegna’s, ku shpëtimi simbolizohet me sfondin qiellor në të cilin spikat shenjtori me shigjeta në trup, sidhe të parit sëposhtmi-lart që thekson këtë lidhje të tij me qiellin e kaltër. Natyrisht, ky qëndrim nuk mund t`i imponohet një piktori tjetër, dhe atëhere një analogji tjetër po aq domethënëse por e kundërt të vjen detyrimisht në mend : pamundësia e shpëtimit, një qëndrim pesimist si tek romani ‘Procesi’ po e Kafkës, dhe mos të harrojmë që thika në ijë i vjen protagonistit K në dritën e pamëshirëshme të mesditës, si një ankim i fortë i pashpresë i artikuluar nga autori. Dhe analogjikisht që s`ka rrugë shpëtimi edhe për piktorin prej territ që dominon ekspozitën bashkë me tematikën, të cilat na lenë në pritje të pashpresë neve, spektatorin dhe të miturin, tek i cili aureola mbetet e pa domethënie ose e dështuar. Edhe lutja, e përmendur në manifest , si tërësisht e pafuqishme .
E pakuptueshme , sepse ashtu do fitonte mendimi për një ndërrim qëndrimi , shkurt largim të tij nga e kaluara besimtare. Uroj të gabohem, për asnjë arsye tjetër veç asaj artistike. Përbërjet shpirtërore të artistëve të ndryshëm shpesh nuk lidhen me prirjet koloristike të tyre, ato bëhen domethënëse ndofta vetëm psikalalitikisht, dhe ato mund të bien ndesh çuditërisht me ato ideore ose shpirtërore. Ekzistojnë plot kombinime që të gabojnë . Vec kësaj artisti serioz jep senjale të rralla me anë simbolesh ose gamash koloristike të papritura, në mënyrë që të japin ato sensin e dishkaje themelore që luhet në jetën e tij, ndërsa vet autori ngjan si i ftohtë. Në rastin tonë shqiptar do të ishte shumë e vlefshme për momentin e tanishëm të shoqëris, të jepej ky lloj arti, me jehonë shpirtërore, dhe jo ai që mundohet të komentojë aktualitetin për mirë o për keq, të cilit ia kemi parë hajrin. Në këtë kuptim, Gazi që mbas 90-ës është angazhuar në variantin e parë, dhe u hyri mistereve me sfond nate, po n` atë rrugë do t`i krijonte një portret më të plotë veprës së tij nëse peneli i tij do të kalonte në zonat më të ngrohta nga ç`ka bërë i deritashmi. Këtë pres nga ai në një ekspozitë të ardhme. Ai është një profesionist shume i aftë teknikisht dhe me kulturë, kështu që linja me pafajsinë që përshkon vuajtjen me episodeve kuptimplotë, të arrijë tek rivendosja e saj në një bazë pjekurie, kjo nuk do t`ishte aspak banale si një happy end i rëndomtë, sepse edhe në letërsinë serioze, prej sëcilës G. Leka merr mjaft , janë të rralla veprat që nuk e kanë këtë kthesë që bazohet te vitaliteti njerzor, sigurisht të motivuara bindshëm. Kërkohet vetëm një ide si ajo e djalit të vogël po tjetërlloj, një pelegrin ndofta që kalon në shtigje të panjohura për të mbritur ose për t`iu afruar qëllimit të dëshiruar. Me njohjen e tij të kahershme të simboleve, dhe të marrunit paprerë me projektet artistike qe e karakterizon , e shoh të mundur vazhdimin e krijimtaris së Gazmendit në këtë drejtim, sepse ajo do t`i jepte përgjigje çështjes që ngrita lart, e cila e përsëris, jo detyrimisht angazhon artistin si i tillë, por që i shton notën diellore dhe plotson, nëse autentike, veprën e tij dhe pritshmërinë tonë.
*Kritikë arti