Matthew Palmer, përfaqësues special amerikan për Ballkanin Perëndimor, ka vizituar Kosovën në kuadër të përpjekjeve të tij për të shbllokuar procesin e dialogut me Serbinë, që synohet të finalizohet me marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese. Kjo, sipas tij, do t’i çlironte potencialet edhe në Kosovë e edhe në Serbi, sikurse edhe do të siguronte përfitime ekonomike e politike për të dyja vendet.
Ajo që ka siguruar Palmer është se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se, pa e pranuar këtë realitet, Serbia nuk do të mund të llogarisë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Ndërkaq, Matthew Palmer, ka bërë të qartë se në asnjë mënyrë nuk do t’i kërkohet Kosovës që të pranojë diçka që e sheh si të papranueshme.
“Askund Kosovës nuk i kërkohet që të gëlltisë diçka që nuk e dëshiron apo që nuk është në interesin e saj. Kosova vendos vetë për fatin e saj dhe Kosova vetë do të vendosë se kush flet për të në këtë proces. Ajo vetë do të vendosë se për çka dëshiron të negociojë dhe vetë do t’i vendosë parametrat e angazhimit: duam ta bëjmë këtë, nuk duam ta bëjmë këtë”, ka thënë Palmer gjatë një takimi në Prishtinë me një grup studentësh dhe pjesëtarësh të shoqërisë civile. “Kosova nuk duhet të hyjë në negociata e papërgatitur. Ajo duhet të vendosë se çfarë qëndrimi do ta marrë para negociatave dhe ne jemi partnere të Kosovës në këtë proces”, thotë ai.