Pak orë pasi një automjeti i braktisur u gjet në aksin dytësor që lidh Shkozetin me Fushë-Krujën, në rrugën për Ishëm, që mendohet se i përket autorëve të atentatit ku mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoj, policia do të këqyrë mjetin.
Siç u tha edhe mbrëmë, brenda mjetit u gjetën 2 kallashnikovë, të cilët thuhet se janë përdorur në sulmin ndaj mjetit tip ‘Benz’ AA 333 ZD pasditen e djeshme në mbikalimin e Shkozetit në Durrës. Policia siguroi zonën, dhe duke qenë se ishte natë, këqyrja e mjetit do të bëhet sot, targat e të cilit rezultonin të vjedhura në Tiranë.
‘BalkanWeb’ raporton se ekspertët do të kontrollojnë brenda mjetit për të siguruar ndonjë provë të mundshme materiale që të çojë deri tek identifikimi dhe kapja e autorëve, siç janë shenjat e gishtërinjve. Kujtojmë se mbrëmë u shoqëruan 10 persona në policinë e Durrësit, si persona që mund të kishin dijeni për ngjarjen në fjalë, por jo të dyshuar si autorë.
Ngjarja që tronditi vendin ndodhi dje teksa prokurori, një emër i lakuar përgjatë këtyre ditëve nga politika, përfshi këtu kryeministrin Edi Rama, po udhëtonte drejt Tiranës bashkë me shoferin Andi Maloku dhe mikun e tij Aleksander Laho (Landi Muharremi). Por një automjet ka hapur zjarr ndaj tyre, duke i plagosur të tre.