“Nëse PD nuk vjen, do ta kalojmë reformën zgjedhore me opozitën parlamentare”, deklaroi sot ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali.
Gjatë një interviste televizive, Spiropali deklaroi se “jemi të gatshëm që draftin e tyre ta kthejmë në ligj nëse ka dakordësinë e OSBE-së. Ua kemi lënë në dorë, kanë zgjedhur të mos marrin pjesë. Në kushtet që jemi, e kemi të domosdoshme të kalojmë ndryshimet sipas rekomandimeve, me ta, ose pa ta. Të ulen në tryezë e të diskutojnë. Herën e fundit lexuan një trakt politik dhe u ngritën nga tryeza. Në takimin e radhës, të shohim cili është propozimi i tyre, por kushte nuk mund të vënë. Ajo që kanë nuk është platformë, është një trakt politik. Nuk ka lidhje me rekomandimet e OSBE-së. Ne jemi ta gatshëm të diskutojmë me të gjithë aktorët. Për ne nuk është çështje e sistemit, për ne është çështje e vullnetit për të patur standarde”.
“Nuk kemi kohë për të pritur. Edhe Bundestagu thotë që ne duhet të kalojmë rekomandimet. Nëse nuk vijnë jemi gati ta kalojmë me opozitën parlamentare”, tha ministrja.
“Ne e kuptojmë që janë në pozicion të vështirë. Ndoshta është pikënisja për të forcuar radhët. Për ne nuk ka asnjë problem. Kur flasin për zgjedhje pastaj të parakohshme, duke u nisur nga asgjëja e duke pretenduar që kanë shumicë në popull, këtu fillon ilariteti. Nëse ata kanë vendosur që kontratën me zgjedhësit e tyre ta hedhin poshtë, duke djegur mandatet, duke mos marrë pjesë në zgjedhje, nuk mund ta djegim ne kontratën që kemi me shqiptarët. Ne jemi votuar për të qeverisur 4 vite e këtë po bëjmë. Ne kemi tani dy sezone shumë të rëndësishme ku do punojmë për të përmirësuar jetën e shqiptarëve në çdo nivel e për të bërë detyrën tonë sa më mirë. Zgjedhjet janë në 2021 dhe thirrja jonë është të përgatiten për 2021”, – theksoi Spiropali gjatë intervistës.
E pyetur rreth rastit të kryebashkiakut të Vorës, Spiropali tha se “presim vendimin e Prokurorisë dhe pastaj të KQZ për të marrë vendim”.
“Nuk është më çështje e jona. Ne kemi bërë verifikimet maksimale për secilin kandidat. Kemi hyrë në të shkuarën, kemi parë dosjet, kemi parë a janë të pastër, por është përtej mundësive tona si parti të zbulojmë a kanë probleme ata në të shkuarën e hershme me drejtësinë”, deklaroi ministrja.
/a.r