Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka zhvilluar këtë të enjte një interpelancë me qytetarët për gabimet dhe problemet që ato hasin kur i drejtohen Gjendjes Civile për të marrë shërbimet përkatëse.
Ai tha se gjatë 30 viteve të fundit janë bërë shumë gabime të karakterit drejtshkrimor, por shtoi se ky problem do të zgjidhet tani nga vetë nëpunësi i Gjendjes Civile duke i hequr një barrë tjetër qytetarit.
“Dua të them se një ndër objektivat e qeverisë lidhet me lehtësimin e shërbimeve të qytetarëve. Në rastin konkret janë shërbimet në gjendjen civile. Qytetarët nuk do të jenë të detyruar më të bredhin nëpër zyra për të kërkuar rregullimin e gabimeve, pasi këto do t’i bëjë vetë zyra e Gjendjes Civile. Ajo që ju thashë në fillim është kjo: detyrimi i qytetarëve për të kërkuar saktësinë e emrave nuk do të ekzistojë më. Kjo barrë i kalon shtetit, pra gjendjes civile dhe duhet t’i japë përgjigje qytetarit. Saktësimi i këtyre të dhënave është saktësuar brenda një dite, vonesa shkon deri në shtatë ditë kur dokumenti vjen lart. Gabimet janë bërë transkriptuar nga gjendja civile. Këtu nuk ka hapësirë për ndryshime substanciale të emrave. Kjo bëhet për saktësime të karakterit drejtshkrimor”, u shpreh Lleshaj.
Ministri paralajmëroi qytetarët dhe ju bëri ftesë të aplikojnë për kartat e identitetit. Ai tha se nga 1 janari, ata që nuk do pajisen me dokumente të reja nuk do të marrin shërbime në zyrat e shtetit.
“Nxitoni të merrni kartat e identitetit që me 1 janar të mos paralizohemi nga e drejta për të marrë një shërbim”, theksoi ministri.