Nga ARTUR AJAZI
Nuk ka ditë që ish-deputetët opozitaristë të Partisë Demokratike të mos dalin me shkresurina në duar, me dosje dhe tufa me letra bakalli, duke treguar nga kamerat dhe gazetarët, “skandalet financiare”, duke renditur si papagaj, shifra milionëshe për “abuzimin me rrugët, rrugicat, kanalizimet, lulishtet, argjinaturat”, dhe duke dhënë gjoja alarmin se “PPP po rrezikojnë ekonominë e vendit”.
O zot, kush flasin, kush akuzojnë, kush denoncojnë, kush ngrejnë gishtin dhe bëjnë sikur “merakosen” për popullin. Ata që lanë pas, kur e humbën pushtetin me mbi 1 milion vota (shupklaka) një gropë të madhe financiare, një listë të stërgjatë subjektesh të cilave u kishin miliona euro borxhe për punime të kryera dhe të papaguara nga ish-qeverisja e tyre. E harruan gropën e madhe financiare, ata që nuk lanë tender bypass-i pa bërë fët e fët, dhe pa dhënë miliona euro pa bërë asnjë lekë punë në terren, e harruan ata borxhin skandaloz që lanë pas kur humbën pushtetin, aq sa FMN kishte dhënë alarmin prej 2 vitesh, por ish-qeverisja e PD, qëndronte “shkëmb graniti buzë Adriatikut”.
E harruan ata ish-deputetë, që sot cicërojnë zhurmshëm, dhe hiqen si të ndershëm, sa mijëra metra katrorë tokë u blenë për 1 euro metri nga ish-ministrat, sa hektarë tokë në bregdet u privatizuan nga oligarkët blu, që sot po dalin në dritën e fakteve skandalet e privatizimeve korruptive.
Përse e harruan gropën e madhe, e cila kërkon shumë punë nga qeverisja Rama për t’u kthyer në normalitet, pasoja të cilat po i vuan sot e kësaj dite ekonomia e vendit dhe shqiptarët. Përse e harruan dhe bëjnë sikur përloten për “hallet e popullit” ata që kishin ngritur në drejtoritë e policive në rrethe “seksionin” e trafikut dhe kontrabandës, dhe që i kishin kthyer degët e Tatim-Taksave në celula të Partisë Demokratike.
Sa shpejt e harruan shtetin prej letre, që ngritën në 8 vitet e qeverisjes tyre, mjafton të përmendim 470 mijë borxhlinjtë ndaj OSHEE dhe Ujësjellësave, që kishin afro 2 dekada që nuk paguanin ujin dhe energjinë elektrike. Ata që flasin për “shpenzime dhe abuzime me paratë e taksapaguesve” dhe që luajnë teatër me banorët e Astirit dhe zonave periferike të Tiranës, mjafton t’u përmendim “krushqitë” e fundit të kryetarit të tyre, me oligarkët e vilave lluksoze për të bindur shqiptarët dhe jo sejmenët e SHQUP-it se, bashkë me mandatet kanë djegur edhe shansin të vijnë një ditë në pushtet me votë.
SHQUP-i hoqi dorë përfundimisht nga protestat, dhe kjo natyrisht lidhet me shumë faktorë, që nisin me dështimin e Lulzimit për t’u bërë lider i opozitës dhe kryetar partie, apo dhe heqjen dorë nga “kushtet” për largimin e Ramës si kryeministër. Në fakt të merresh me Partinë Demokratike sot, është humbje kohe, është kthim pas, është fatalitet politik. Kjo PD, nuk e kap më trenin në stacion, dhe bashkë me shqupistët qëndrestarë, ndoshta Lulzim Basha një ditë do të preferojë të konvertohen në socialistë, për të gjetur në partinë e Ramës, atë që nuk e provuan kurrë në pratinë e Doktorit, lirinë dhe demokracinë e vërtetë të mendimit dhe veprimit.
te lumte