Po zhvillohet në grykën e Këlcyrës, ceremonia zyrtare në përkujtim të të rënëve në luftën italo-greke në vitet 1940- 1941, e njohur ndryshe si “Dita e Jo-së”.
Motra e ekstremistit grek Kostandinos Kacifas ka tentuar që të depërtojë në ceremoninë për festën greke, ‘JO’-në që është zhvilluar mesditën e sotme në Bularat për të kërkuar drejtësi për vëllanë e saj.
Por në momentin e fundit është ndaluar nga policia së bashku me banerin që mbante në dorë me foton e vëllait. Report Tv raporton se motra e ekstremistit ka dashur që të përcjellë një mesazh te autoritetet greke dhe shqiptare.
Të pranishëm në ceremoni ishin edhe ambasadorja greke në Shqipëri dhe konsulli. Motra ka akuzuar dhe ka kërkuar nga autoritetet shqiptare zbardhjen e së vërtetës, pasi pretendon se nuk ka qenë me kallash por me një pushkë të thjeshtë, që nuk ka qëlluar askënd, por është qëlluar.
“Nuk jemi shovinistë, nuk kemi asgjë me askënd, jemi paqësorë duam vetëm të zbardhet vrasja” tha ajo ndër të tjera.
Ajo tha se policia rrethoi babain e saj sapo panë foton e të vëllait dhe e mori në pyetje.
“Kisha frikë mos ishin të armatosu. Turp, skandal për qeverinë shqiptare se ne jemi grekë autoktonë. Jemi në tokë greke. Populli nuk ka faj, e kanë fajin drejtuesit e shtetit”, janë disa nga fjalët e motrës së Kostandinos Kacifas.
35-vjeçari u vra më 28 tetor të vitit të kaluar pasi hapi zjarr ndaj forcave të policisë shqiptare. Tre ditë më parë në nderim të tij, qindra shtetas grekë erdhën në Shqipëri dhe kryen homazhe në Bularat, ku nëna e Kacifas bëri thirrje për luftë.
g.kosovari