Nga Ilir Yzeiri
Pas «Jo »-së së Francës për të çelur bisedimet për anëtarësim në BE, opinioni pati rastin të shohë edhe njëherë përpjekjet e një pjesë të shtypit që njihet, tashmë, për qëndrimet radikale ndaj Ramës, se kjo shuplakë e Francës, sipas tyre, ishte një përgjigje edhe për « keqqeverisjen » e tij. Në paradën e akuzave dhe qëndrimeve kritike shkëlqeu Ilir Meta, i cili i veshur si mazhordom dhe i gjendur atje ku nuk e di askush pse shkon, artikulonte kritika të sheshta për « mosrealizimet e reformave » nga Rama dhe shtyhej më tej e i mbushte mendjen vetes se po të ishin bërë zgjedhjet më 18 tetor vendi do të kishte shpëtuar dhe negociatat do të ishin çelur.
Ligjërimi i Ilir Metës nuk të bën më as të qeshësh as të reagosh. Ai ngjet me ato titrat e filmave në arabisht që kur i sheh mendon se sa të bukura janë për t’u parë, por që askush nuk merr mundimin të kuptoje së çfarë shenjojnë. Kulmin, në fakt, e arriti më pas kur hamendësoi se Rama nuk mund ta japë dorëheqjen si Zaevi. Vetëm i veshur me atë kostumin si mazhordom mund ta pëleqejë këtë thënie të Metës. Pas kësaj, të gjithë kujtoheshin për betimet e tij se do të jepte dorëheqjen nëse Komisioni i Venecias do të thoshte se kishte shkelur Kushtetutën, se do të luftonte si Alende në Presidencë e plot marrëzi të tjera.
Opozita, ndërkaq, është në të drejtën e saj që, pas çdo ngjarjeje që ata e quajnë si dështim të qeverisë, të fajësojë kryeministrin. Qëllimi i ligjërimit opozitar është që të ndërtojë një paradigmë të tillë që t’u thotë shqiptarëve se ata janë shpresa. Mirëpo, pikërisht këtu, te shpresa, ngatërrohen punët. Grida Duma u paraqit si kandidate për kryeministre e këtij vendi pas një party që dha në një hotel të shtrenjtë në Tiranë.
Në atë party ajo promovoi një libër dhe gjëja më e bukur nga gjithë ky promocion i Gridës është se opinionit iu servir jo një libër, por një produkt konsumi. Librin dhe teoritë e Gridës për zhvillimin politik, unë personalisht, jo vetëm që nuk i kuptoj, por e kam të vështirë të ndjek narrativën e saj sepse më duket pa asnjë referencë. Moda për t’iu imponuar opinionit me libra që promovohen si produkte kozmetike i bëjnë mirë autorit se i shtojnë aksesorët e paraqitjes, por të tjerëve nuk besoj se u shton gjë.
Edhe Albin Kurti duket se ka marrë revan dhe po rri në Tiranë më shumë jo si fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, as si kryeministri i ardhshëm i saj, por si një show men që sapo ka fituar një Talent show. Siç vinte re me të drejtë « Tema » në një shënim të sajin, ai po përdoret si ushqim për orekset e pashuara të detraktorëve të Ramës. Nëpër tavolinat ku ulet, ai shfaqet si një star që shkruan hartime të bukura dhe që i mahnit të gjithë me narrativën e luftës kundër të fortëve.
Të gjithë ata që ka takuar deri tani këndellen jo me atë që thotë, por me sfidën që do t’i bëjë Edi Ramës sapo të veshë petkat e Kryeministrit. Ndërkaq, në po atë ditë që Albini festonte në Tiranë fitoren e tij në « talk-shown » e fundit në Kosovë, djali i Remzi Hoxhës përkujtonte 20 e ca vjetorin e zhdukjes së babait të tij, Remzi Hoxhës. Dëshmitë e Izet Haxhisë në Prokurorinë e Krimve të Rënda janë tronditëse, ato të Ziso Kristopullit të vetmit të mbetur gjallë nga treshja që u rrëmbye nga SHIK-u famëkeq i Gazidedes, fajësojnë regjimin e Berishës, madje akuzojnë edhe atë vetë. Mirëpo, ajo pjesë e medias dhe detraktorët e Edi Ramës nuk interesohen për këtë. Përkundrazi, një nga shfaqjet më të pështira të gazetarisë u përsërit edhe njëherë. Sali Berisha u ftua nga disa televizione dhe aty, pa iu dridhur qerpiku, recitonte si të ishte një ish-futbollist ose ish-alpinist. Tregonte për formën e tij fizike dhe jo për krimet që po e akuzonin përsëri e përsëri.
Më kujtohet se Xhulio Andreoti, një nga personazhet qëndrore të jetës politike italiane, kryeministri më jetëgjatë i saj, pasi u largua nga posti, e kaloi jetën duke udhëtuar nga Roma në Palermo, atje ku një prokuror i Republikës i kishte ngritur akuzën për bashkëpunim me mafian. Kurrë nuk e ngriti kokën pas kësaj akuze. Kurse Sali Berisha që akuzohet për krime makabre nga ish-roja e tij personale dhe nga të tjerë, i sfidon të gjithë dhe ligjëron nëpër studio televizive si një star. Ky jo vetëm që është turp, por është mjerim shpirtëror. Dhe Albin Kurti, « shpresa » e Kosovës, jo vetëm që nuk tha një fjalë për Remzi Hoxhën, por darkoi me ata që e kanë idhull Sali Berishën duke na dhënë një mesazh se ai nuk është as më shumë e as më pak por vetëm negativi inteligjent i fotografisë së Lulëzim Bashës.
Edi Rama që u vu në shenjëstër nga gjithë detraktorët e tij me në krye Ilir Metën, përsëri mbetet lideri më i besueshëm ndër shqiptarë, sepse me veprimet e tij politike nuk i ka shkaktuar asnjë tragjedi këtij vendi dhe nuk ka zhdukur e vrarë njerëz. Edi Rama është politikani që mbështetet më shumë se të gjithë nga SHBA dhe Gjermania dy vendet aleate që e kanë Shqipërinë pjesë të strategjisë së politikës së tyre. Reforma në drejtësi që ai ka nxitur dhe ka mbështetur në Shqipëri është një nga sfidat më të mëdha të 100 vjetëve të fundit në këtë vend.
Natyrisht, politika të veçanta të qeverisjes së tij janë të kritikueshme dhe me shumë prej tyre as unë nuk pajtohem. Por, po të shohësh se cilët janë ata që e kundërshtojnë dhe që duan ta sfidojnë, menjëherë bindesh se personalitetit dhe figura e Edi Ramës, tani për tani, është e pakonkurrueshme.
TemA