Teksa kryeministri britanik, Boris Johnson propozon zgjedhje të reja më 12 dhjetor, konservatorët konsolidojnë pozitat në krye të sondazheve.
Sipas një anketimi të publikuar së fundi në mediat britanike, partia e Johnsonit renditet 16 pikë përpara laburistëve në opozitë. Konservatorët kanë aktualisht një mbështetje prej 40%, ndërsa laburistët e Jeremy Corbynit 24%. Pas tyre renditen liberaldemokratët me 15% dhe partia e Brexit-it e Nigel Farange me 10%, i cili i ka ofruar Johnsonit aleancë për të formuar qeverinë e re.
Dhoma e ulët e parlamentit britanik do të votojë të hënën, propozimin e Johnsonit për zgjedhje të reja. Megjithatë, mocioni i tij pritet të dështojë pasi për miratimin e këtij propozimi nevojiten 2/3-at, që nënkupton edhe mbështetje nga disa deputetë të opozitës.
Shumica e laburistëve dhe deputetëve të partive të tjera janë shprehur kundër zgjedhjeve të reja para Krishtlindjes. Lideri i opozitës Jeremy Corbyn ka deklaruar se nuk mund të ketë zgjedhje të reja, pa qenë të sigurt se Londra nuk do të dalë pa marrëveshje nga unioni. Aktualisht Bashkimi Europian po shqyrton kërkesën për shtyrje të afatit të Brexitit pasi deputetët e opozitës kërkuan kohë për analizën e marrëveshjes së re që Johnson arriti me Brukselin.
/a.r