Nga Mentor Kikia/
Një studim i fondacionit gjerman Friedrich Ebert, tregon se në vitin 2014, 59.8% e të rinjve jane shprehur se dëshirojne të largohen nga Shqipëria, përkundër 53% në vitin 2011. Djemtë vazhdojnë të kenë një përqindje më të lartë me 63.5% përkundër vajzave me 55.2%. Dëshira për tu larguar jashtë vendit nuk bën dallim mes të rinjve pavarsisht grupmoshave apo shtresave sociale që i përkasin. Kështu psh 51.7% e të rinjve që vijnë nga familjet e pasura pohojnë se duan të largohen nga vendi cka dëshmon se të rinjtë ndjejnë mungesën e shumë kushteve që garantojnë zhvillimin e tyre arsimor, ekonomik e profesional apo kulturor.
Ende nuk kanë dalë të dhënat e plotësimit të llotarisë amerikane, pasi këtë vit, pritet që të shënohet shifra rekord e aplikimeve, qëkurse llotaria nisi të zbatohet edhe në Shqipëri.
Për mendimin tim ka disa arsye:
1-Ky është brezi i keqshkolluar dhe pa profesion, i tranzicionit 25 vjecar. Po ti pyesësh këta të papunë se cfarë dinë të bëjnë, pak mund të jenë në gjendjë të thonë se cfarë munden. Dhe kjo e thellon edhe më shumë plagën sociale.
2- Nga Shqipëria duan të ikin edhe ata që kanë një farë komoditeti, pra nuk po ikin për bukën e gojës. Sepse shqiptarët nuk duan më vetëm të hanë e të vishen, por të jetojnë si njerëz dhe këtu mjedisi social, shoqëror e politik është mizerje. Ata duan të shkollohen normalisht, të mjekohen normalisht, të argëtohen normalisht, të jetojnë në një vend ku ka rregull e drejtësi për të gjithë.
3- Ata që po ikin tani, nuk po ikin për të punuar e për tu kthyer të ndërtojnë shtëpi e të blejnë televizor. Ata po ikin për të mos u kthyer më kurrë. Ky nuk është emigrim por arrati.
4-Ata që po ikin apo duan të ikin, janë ose të rinj ose cifte të rinjsh me fëmijë të vegjel, që duan të shpëtojnë fëmijët prej vendit të tyre.
5-Ata që po ikin apo duan të ikin, nuk vuajnë thjeshtë për bukë, por vuajnë për shpresë. Ata janë lindur e janë rritur në një mjedis mizerje politik, i cili ka ardhur duke degraduar në mënyrë sistematike.
Kjo është një gjëmë për shoqërinë tonë. Shqipëria, moshën e re, e ka patur asetin më të cmuar. Por tani plakja natyrale e popullsië dhe rënia e lindshmërisë po shoqërohet edhe me një arrati masive të rinisë. Një shoqëri që nuk është në gjendje të largojë një klasë politike që i ka zënë frymën për cerek shekulli dhe e ka marrë peng, një shoqëri që nuk është në gjendje të prodhojë një klasë politke që ta drejtojë në rrugën e duhur, ka gjetur zgjidhjen më të gabuar. Kërkon të marrë rrugën “si çifuti në shkretërirë”.
Udhë të mbarë njerëz… Këtu do të ketë gjithmonë kush të votojë në emrin tuaj.