“Kur aeroplanët e NATO-s i bombarduan forcat serbe para 20 vjetësh për t’i përzënë ata jashtë Kosovës, Albin Kurti ndodhej në një autobus të kuq bashkë me të burgosur të tjerë politikë, të cilët përdoreshin si mburojë njerëzore”. Kështu fillon shkrimi i faqes së njohur amerikane, Bloomberg, për fituesin e zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurtin.
Ai është rrahur në burg dhe është dënuar për terrorizëm me 15 vjet burgim nga një gjykatë serbe. Ndonëse frikësohej se nuk do të dilte i gjallë nga burgu, ai u lirua në vitin 2001, kur lideri famëkeq serb, Sllobodan Millosheviq, ra nga pushteti.
Ajo që gjeti kur u kthye në atdhe ishte një Kosovë e çliruar nga serbët, por të ngecur në paqartësi. Tash, vendi me pozitë të rëndësishme strategjike, i cili e shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, është në qendër të përpjekjeve për ndikim në Ballkan nga ana e Rusisë, Bashkimit Evropian, Kinës dhe Turqisë.
Dhe ndoshta do të jetë në dorën e inxhinierit të teknologjisë informative, i cili i ka prerë flokët e gjata dhe e ka veshur kostumin e freskët, që ta kthejë në rrugë të mbarë vendin me 1.9 milion banorë pasi partia e tij i fitoi zgjedhjet e parakohshme të këtij muaji.
Kurti mund të caktohet kryeministër këtë javë, kur detyra e tij e parë do të jetë formimi i qeverisë. Më pas, ai duhet të punojë për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, që është kërkesë thelbësore për fillimin e negociatave për pranim në Bashkimin Evropian. Megjithatë, ai është një zgjedhje kundërthënëse.
Si kundërshtar i rreptë i korrupsionit, ai ka organizuar protesta kundër administratorëve ndërkombëtarë, të cilët e mbikëqyrën tranzicionin e Kosovës nga një territor i rrënuar nga lufta në një demokraci të re. Në vitin 2007, dy aktivistë të partisë së tij vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan gjatë përleshjeve me policinë e Kombeve të Bashkuara. Kurti, 44 vjeç, ishte arrestuar dhe ishte mbajtur në burg për nëntë muaj.
Ai është gjithashtu një kritikues i ashpër i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili vjen nga një parti rivale, dhe i presidentit serb, Aleksander Vuçiq, duke i quajtur ata udhëheqës autoritarë. Ai thotë se këta dy liderë janë përpjekur të arrijnë marrëveshje sekrete për pajtim vitin e kaluar, për të cilën thotë se do të sillte më shumë dhunë në rajonin më të brishtë të Evropës, shkruan “Bloomberg”.
g.kosovari