Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka konfirmuar vizitën e tij zyrtare në Tiranë për ndeshjen e fundit eliminatore të kampionatit Europian Euro 2020 mes Shqipërisë dhe Francës.
Kjo ndeshje do të jetë gjithashtu ndeshja inauguruese e stadiumit të kryeqytetit “Arena Kombëtare”.
Veç presidentit të UEFA-s, Federata Shqiptare e Futbollit ka ka ftuar të gjithë anëtarët e qeverisë evropiane të futbollit dhe jo vetëm për të qenë të pranishëm në inaugurimin e impiantit më të madh e më modern sportiv në Shqipëri.
Kuqezinjtë për këtë ndeshje të fundit të fazës së grupeve edhe pse nuk kanë një objektiv sportiv për të pretenduar kualifikimin, do të kenë motivimin maksimal për të vazhduar paraqitjen e mirë që ka filluar me ardhjen e Edi Rejas në pankinë. Përpos kësaj, 22.000 vendet e “Arenës Kombëtare” do të jenë tërësisht të ezauruara pasi prej kohësh kërkesa për bileta është në rritje.
Përveç tribunës qendrore, që në këtë ndeshje nuk do të dalë në shitje për shkak të protokolleve zyrtare për të ftuarit e FSHF-s, qeverisë, bashkëpunëtorët dhe sponsorave, pjesa tjetër e stadiumit është e gjitha në shitje për një çmim mesatar biletash prej 2.200 lekësh, apo nga më e lira që do të kushtojë 1.500 lekë deri tek më e shtrenjta që do të kushtojë 5000 lekë, shkruan Tch.
Biletat e ndeshjes inaguruese të “Arenës Kombëtare” Shqipëri-Francë do të dalin në shitje nga dita e nesërme ndërkohë që më 14 nëntor, përfaqësuesja kuqezi do të luaj në “Elbasan Arena” përballë Andorrës ndeshjen e parafundit të këtyre eliminatore të kampionatit evropian “Euro 2020”.