Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve po vijon punën për investimin në rrjetin e kanalizimeve për banorët e rrugës “Dalip Zavalani” në kryeqytet, përballë Njësisë Administrative numër 1 dhe 2, një investim nga i cili përfitojnë qindra familje.
Linja e re e ndërtuar zgjidh njëherë e përgjithmonë defektet që ndodhnin në rrjetin e kanalizimeve në këtë zonë, duke mundësuar një shërbim më cilësor për qytetarët.
Sipas UKT, ndërhyrja në këtë segment ka qenë shumë e nevojshme, pasi rrjeti i amortizuar shkaktonte vazhdimisht probleme me ujërat në rrugë. Investimi i Bashkisë së Tiranës synon zgjidhjen e kësaj problematike të mbartur ndër vite, duke u ofruar banorëve të rrugës “Dalip Zavalani” një shërbim sa më cilësor.
Specialistët e UKT kryen zëvendësimin e rrjetit të vjetër me materiale të reja sipas standardeve bashkëkohore, duke siguruar një cilësi maksimale. Gjatë ditëve të fundit, grupet e punës të UKT kanë ndërhyrë edhe në zona të tjera të kryeqytetit, për t’i dhënë zgjidhje çdo problematike të krijuar në çdo cep të Tiranës.
g.kosovari