Eskorta e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, është përfshirë mbrëmjen e së dielës në një aksident rrugor në Tiranë, pranë zonës së Qafë Kasharit.
“Balkanweb” raporton se makina e eskortës së Kurtit është përplasur me një mjet tjetër, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të plagosur.
Mësohet se dy makinat e përfshira në aksident janë pjesë e eskortës së liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Policia e Tiranës ka marrë masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve, ndërsa kreu i Vetëvendosjes ka vijuar pa probleme rrugën drejt Rinasit. Raportohet se përplasja e mjeteve nuk ka qenë e fortë.
Lideri i Vetëvendosjes ishte dje në Tiranë për të festuar triumfin e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, të cilat u mbajtën me 6 tetor.
Lajmi gjithashtu është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, i cili me një shënim në “Facebook” thekson se aktiviteti në Tiranë ka vazhduar sipas parashikimit.
Ai ripërsërit faktin se asnjë prej personave që ndodheshin në makinë nuk ka pësuar lëndime trupore.
/a.r