Vendimi i Këshillit Evropian për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka ngjallur reagime jo vetëm brenda dy vendeve, por edhe më gjerë. Duke reaguar për vendimin, media ndërkombëtare “BBC” citon kreun e Këshillit Evropian, Donald Tusk, i cili e cilësoi të gabuar vendimin për të bllokuar negociatat me dy vendet ballkanike.
“Një pjesë e vogël e vendeve anëtare të BE, të udhëhequr nga Franca, vunë veton ndaj hapjes së negociatave me dy vendet e Ballkanit”, shkruan “BBC”.
Më tej, BBC citon sërish Donald Tusk, i cili gjatë një konference për shtyp pas vendimit të KE, tha se “disa anëtarë nuk janë të gatshëm për të lejuar Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të bëhen anëtare të BE”.