Stadiumi i ri i Milanit dhe Interit vazhdon të jetë një temë diskutimi në Milano. Të dyja klubet prezantuan projektet e opsioneve të mundshme, që ende qëndrojnë në lojë për trashëgiminë e “San Siro”, që do të shkatërrohet. Në vend të stadiumit aktual do të ngrihet një xhevahir arkitektonik, që do të jetë një burim tërheqjeje për shumë tifozë, si gjatë javës, ashtu edhe ditën e ndeshjes. “Affari Italiani” intervistoi disa përfaqësues të klubeve, që përjashtojnë vendndodhje të tjera të stadiumit, nga ai i vendosur tashmë. Kështu u shprehen nga fondi “Elliott”, që administron kuqezinjtë:
E vetmja mundësi në tryezë, aktualisht, është që të ndërtojmë një “San Siro” të ri në vendin ku është “San Siro” ekzistues. Kjo ishte baza e propozimit të fizibilitetit dhe kërkesës së bërë në Bashkinë e Milanos. Klubet nuk kanë një projekt tjetër, për një vend tjetër. Vetëm nëse këshilli bashkiak refuzon, atëherë do të përcaktojmë hapa të njëpasnjëshëm, pa paragjykuar nevojën për të pasur një stadium në përputhje me dy klubet e niveleve më të larta, që konkurrojnë aty.
“Status quo” dhe ristrukturimi nuk janë rrugë të vlefshme. Klubet kanë bërë një propozim të qartë dhe të saktë. Nëse këshilli bashkiak do të thotë “jo”, qoftë edhe pjesërisht, klubet do të vlerësojnë se çfarë duhet të bëjnë. Kemi disponueshmëri maksimale me të gjithë për ta përmirësuar projektin, por jo për ta shtrembëruar atë në themelet e tij”.