Një karrocë romake është gjetur bashkë me mbetjet e fosilizuara të kuajve në Kroaci. Varrimi i çuditshëm daton afro 2,000 vjet më parë dhe mendohet se është rezultat i një rituali varrimi për familjet romake jashtëzakonisht të pasura.
Arkeologët e bënë zbulimin në një vend afër qytetit Vinkovci në Kroacinë lindore. Është gjetur një dhomë e madhe varrosjeje, në të cilën ndodhej edhe karroca me dy rrota, e njohur në gjuhën latine si ‘cisium’.
Eksperti Boris Kratofil sqaroi për mediat lokale se zakoni ishte pjesë e një rituali të jashtëzakonshëm gjatë periudhës romake në provincën e Pannonia.
Sipas “The Sun”, zakoni shoqërohet me familje jashtëzakonisht të pasura që kanë luajtur një rol të spikatur në jetën administrative, sociale dhe ekonomike të provincës së Pannonia.
Zbulimi vlerësohet të jetë nga shekulli i tretë pas Krishtit, por ekipi i shkencëtarëve po punon për të konfirmuar epokën e saktë të tij.
Deri në Shekullin 1 para Krishtit kur Romakët u ngritën në pushtet, qerret përdoreshin vetëm për gara. Nuk është hera e parë që një karrocë romake është gjetur e varrosur me kuaj. Në vitin 2013, një karrocë 2.500 vjeçare u zbulua pranë mbetjes së dy kuajve në Bullgari.