Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke dënuar me 10 vjet burg Kelmend Balilin, dënim me gjykim të shkurtuar. Në këtë vendim të formës së prerë, Balili do të kalojë 10 vite pas qelisë nën akuzat për trafik droge, për pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe për grup kriminal.
Prokuroria kërkoi 18 vite, gjykata vendosi 15, por duke qenë se u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, u ul 1/3 duke u dënuar përfundimisht me 10 vite burg.
Balili nuk ka qenë i pranishëm sot në seancën e Gjykatës së Apelit, ndërsa vendimi i shkallës së parë u ankimua nga mbrojtja e Balilit, që kërkoi pafajësi.
Balili prej 15 Janarit 2019 qëndron në qeli pas vetëdorëzimit në Policinë e Shtetit aty ku kushti i tij i vetëm ishte të gjykohej nga drejtësia shqiptare duke shmangur në këtë mënyrë ekstradimin. Nga media greke Balili u cilësua si “Escobari” Ballkanit ndërsa rasti i kapjes së drogës si pjesë e këtij trafiku i përket afro 700 kg të kapur në ishullin Zakynthos në vitin 2017. Për Balilin u përfshi në hetime edhe zyra e DEA-s në Athinë ndërsa prej më shumë se dy vitesh ai qëndroi në arrati duke bërë që 4 operacione policie për arrestimin e tij të dështonin.
Balili do të vuajë dënimin në një prej burgjeve të sigurisë së lartë.
/a.r