Një operacion i policisë së Shkodrës i koduar “Golemi” ka goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Kështu nga ana e policisë gjatë kësaj të mërkure, janë vënë në prangat e policisë katër persona nga vendet e Lindjes së Mesme.
Në kuadër të masave të marra për parandalimin e kontrabandimit të klandestinëve nga vendet e Lindjes së Mesme, të cilët hyjnë ilegalisht nëpërmjet kufirit të gjelbër nga Greqia për në Shqipëri me destinacion vendet e BE-së, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bazë të informaconeve të marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirorganizuar, finalizuan operacionin policor të koduar “Golemi”.
Si rezultat i operacionit, u bë arrestimi në flagrancë i G. N., 41 vjeç, banues në fshatin Boriç i Madh, Malësi e Madhe dhe V. Y., 53 vjeçe, banuese në Shkodër.
Në aksin rrugor Shkodër-Koplik, në fshatin Golem, të dyshuarit u kapën në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me automjetin që drejtohej nga shtetasja V. Y., katër me shtetësi dhe kombësi marokene, të cilët kishin destinacion Malin e Zi, e më pas vendet e BE-së dhe konkretisht Italinë.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin siguronin shtetas të vendeve të treta, i strehonin në banesa të ndryshme e më pas i transportonin për në Mal të Zi, kundrejt pagesës.
Lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë , për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” në bashkëpunim.
g.kosovari