Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti priti sot në zyrën e tij ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi.
Siç njofton LVV, Minxhozi e uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe për organizimin e fushatës që arriti t’i adresojë me sukses brengat e qytetarëve të Republikës. Ai përshëndeti daljen e madhe të qytetarëve në këto zgjedhje që tregoi pjekuri e vendosmëri për ndryshime.
“Z. Kurti e falënderoi ambasadorin Minxhozi për urimin dhe e njoftoi atë për nismat që do t’i ndërmarrë qeveria e re në funksion të sovranizimit, zhvillimit dhe bashkëpunimit të Kosovës e Shqipërisë.
Ne do të angazhohemi, tha ai, që në të ardhmen të kemi komisione të përbashkëta qeveritare sa i përket politikës së jashtme, burimeve natyrore dhe mbrojtjes e sigurisë. E, po ashtu, edhe një regjistër të përbashkët të bizneseve e për një regjistër të përbashkët civil, për sistem unik doganor, për një sistem të integruar elektro-energjetik dhe për një treg të përbashkët.
50 marrëveshjet e nënshkruara mes shteteve tona nuk do të mbesin në letër por do të zbatohen”, thuhet në njoftim.
/KosovaPress/a.r