Është bërë sot publik dokumenti i opinionit të Komisionit të Venecias, në të cilin i jepet një shuplakë e fortë Presidentit të Republikës në lidhje me vendimin për anullimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit dhe shtyrjen e tyre në një datë të dytë.
Prej ditësh, Ilir Meta i kërkoi këtij Komisionit që t’i tregonte shkeljet Kushtetuese dhe për këtë, ekspertët e komisionit kanë bërë një analizë të thelluar të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Së pari, sipas ekspertëve, Presidenti nuk ka në kompetencat e tij që burojnë nga kushtetuta, të drejtën për të ushtruar parimin e vjetër ligjor “actus contrarius”, pra anulimin e një vendimi të tij të mëparshëm, pasi kjo nuk parashikohet gjëkundi në pikën gj) të nenit 92 të kushtetutës. Sipas Venecias, presidenti mund ta ushtroje anullimin e një vendimi të mëparshëm të tij vetëm në rastet që parashikohen në pikat d, dh, e të nenit 92.
Konkretisht, sipas këtyre pikave, presidenti mund ta ushtrojë aktin negativ në rastet:
-kur dikush që presidenti i ka dhënë nështetësinë shqiptare heq dorë nga ajo,
-kur liron përfaqësues të plotfuqishëm që ai vetë i ka emëruar më parë,
-kur tërhiqen trupat diplomatikë të cilëve ai u ka pranuar kredencialet.
Sipas Komisionit, në pikën gj) të nenit 92, e cila thotë se Presidenti cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve, nuk shprehet e drejta e presidentit për të ushtruar aktin negativ, pra anulimin e vendimit të tij, siç ndodh në tre rastet më sipër.
Për të përforcuar këtë fakt, ekspertët juridikë të Venecias i kujtojnë Ilir Metës nenin 94 të Kushtetutës që thotë se: Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të.
Pra shkurt dhe thjesht, nëse “actus contrarius” nuk është i parashikaur në pikën gj) të nenit 92, presidenti nuk mund ta ushtrojë atë.
Për më tepër, shton Venecia, parimi i anullimit të vendimeve që ai merr nuk mund të merret në çështje që lidhen me të drejtat e njeriut, si e drejta për të zgjedhur.
“Midis dy palë zgjedhjeve formale, e drejta ekziston por nuk mund të ushtrohet. Shtyrja e zgjedhjeve kufizon të drejtën e votës”, thotë Venencia.
Anullimi i zgjedhjeve, thotë Komisioni, është i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën për shpalljen e situatës së ermergjencës. Sidoqoftë, rregullat e zbatueshme kushtetuese për situata emergjente nuk u ndoqën në rastin e Presidentit. As nuk kishte një konsensus politik, i cili do të lejonte krijimin e një baze ligjore ad hoc.
Anulimi i zgjedhjeve ndikon gjithashtu në të drejtat elektorale të njohura nga instrumentat e të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe aplikimi i “actus contrarius” parandalohet nga kërkesa për proporcionalitet në çdo ndërhyrje të Presidentit.
Çfarë do të thotë proporcionaliteti në ndërhyrjet e Presidentit?
Neni 17 i Kushtetutës përcakton detyrimin që kufizimet e të drejtave dhe lirive themelore të jenë në përputhje me gjendjen që e ka diktuar kufizimin (sipas parimit të proporcionalitetit). Proporcionaliteti bazohet në parimin e balancës dhe roli i tij është të justifikojë qëllimin e mbrojtjes ose kufizimit të një të drejte.
Kjo do të thotë se me kufizimin e të drejtës së qytetarëve për të votuar, dhe mos justifikimin e saj, Presidenti ka shkelur edhe nenin 17 të Kushtetutës shqiptare. Sipas Venecias, kufizimi i të drejtës së votimit për qyetarët nga ana e Presidentit, nuk ishte në përputhje me parimin e proporcionalitetit. E para, sepse nuk kishim një situatë emergjence dhe as nuk kishte një konsensus politik, i cili do të lejonte krijimin e një baze ligjore ad hoc, bazë e cila do të përligjte shtyrjen e zgjedhjeve.
Pjesë nga dokumenti i Venecias:
Kompetencat e përgjithshme si justifikim:
44. Mund të argumentohet se nëse një person ka të drejtë, ose është kompetent për të vendosë për një cështje, ai gjithashtu mund të anulojë vendimin e ti (actus contrarius).
“Actus Contrarius” është një parim nga ligji romak, që zakonisht nuk reflektohet ligjet administrative ku fuqia e një autoriteti për të anulluar vendimet është e limituar në mënyrë rigoroze- sqaron Komisioni i Venecias.
I aplikuar në çështjen e vendosjes së datës së zgjedhjeve, kjo do të nënkuptonte se Presidenti, që ka fuqinë kushtetuese të vendosë datën e zgjedhjeve, mundet që gjithashtu ta anulojë atë vendim ose të fiksojë një datë të re zgjedhjesh.
45. Për t’ju përgjigjur këtij argumenti, nevojitet një analizë tekstuale e kushtetutës. Kompetencat që i jepen presidentit nën pikat c), dh) dhe e) të nenit 92 të Kushtetutës parashikojnë shprehimisht fuqinë e tij për të miratuar “aktin negativ” pra “actin contrarius”, domethënë në rastet kur dikush heq dorë nga nënshteësia, lirimi i përfaqësuesve të plotfuqishëm, tërheqja e trupave diplomatikë.
Ky nuk është rasti për kompetencën që buron nën pikën gj) që lidhet me vendosjen e datës së zgjedhjeve. Marë së bashku me kufizimin në nenin 94, duket se është e vështirë të ndërtohet një e drejtë e Presidentit, për të miratuar “aktin e kundërt” në lidhje me datën e zgjedhjeve.
Neni 94: Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të.
46. Për më tepër, parimi “actus contrarius” nuk është plotësisht i zbatueshëm në cështjet që lidhen me të drejtat e njeriut, sepse çdo kufizim në të drejtat e njeriut duhet të jetë në përputhje me parimin e proporcionalitetit. Anullimi ose shtyrja e zgjedhjeve ndikon drejtpërdrejt në të drejtën e votës që është një e drejtë njerëzore. Një kufizim i tilllë duhet të jetë proporcional. E drejta e votës është e lidhur me zgjedhjet zyrtare. Midis dy palë zgjedhjeve formale, e drejta ekziston por nuk mund të ushtrohet. Shtyrja e zgjedhjeve kufizon të drejtën e votës.
50. Si përfundim, e drejta e presidentit për të shtyre apo edhe anulluar zgjedhjet është e dyshimtë dhe nuk mund të zgjidhet pa një bazë të qartë ligjore. Është e nevojshme të ekzaminohet nëse një fuqi e tillë e presidentit mund të derivojë në situata emergjence./LEXO.AL