Për shumën e rreth 7 milion eurove që u grabitën në aeroportin e Rinasit dy vëllezërit Klement dhe Eldi Çala, të shpallur në kërkim, janë bërë pjesë e listës së 50 personave më të kërkuar që do ndiqen nga njësia më e re speciale e policisë e quajtur “FAST”.
Ka nisur shkëmbimi i informacionit dhe me autoritetet e huaja për lokalizimin e tyre.
Zv/ministri i Brendshëm, Bersfort Lamallari, tha se “është hartuar një listë me 50 personat më të rrezikshëm. Kriteret për përfshirjen në këtë listë janë hartuar me ekspertët ndërkombëtarë. Do të ketë një bashkëpunim të dedikuar dhe me Europoplin”.
Specialistët e policisë do të funksionojnë në bazë të dy komponentëve të Inteligjencës që punon në zyra të cilët grumbullojnë dhe shkëmbejnë informacione me vendet partnere si dhe komponenti operativ me efektivat në terren.
“Shqipëria do të përdorë krahas oficerëve të saj ndërlidhës në vende të ndryshme ku mund të gjenden këta persona, dhe oficerë të rrjetit ENFAST, sidomos në ato vende ku Shqipëria nuk ka agjentë të policisë”, – u shpreh ndër të tjera zv/ministri Lamallari.
Shqipëria sipas tij ka marrë miratimin e Komisionit Evropian për të aksesuar rrjetin e enkriptuar të komunikimit – TESTA, që do shërbejë si autostradë dixhitale që lidh Shqipërinë me çdo vend anëtar të BE-së.
/a.r