“The Washington Post”
Ne, ish-anëtarët e ekipit të prokurorit special mbi skandalin Watergate, besojmë se ekzistojnë prova bindëse se presidenti Donald Trump, ka konsumuar vepra që e ngarkojnë atë me faj. Kjo dëshmi mund të pranohet si e mjaftueshme për nisjen e procedurave të impeachment-it, përveçse nëse kundërshtohet nga ndonjë provë e kundërt, që mund të zgjedhë të ofrojë presidenti.
Gjykimi i fundit mbi këtë çështje, u takon anëtarët të Kongresit Amerikan. Kushtetuta e përcakton impeachment-in (fajësimin), si mekanizmin e duhur për adresimin e këtyre abuzimeve me pushtetin.
Prandaj, Kongresi duhet të vazhdojë të ecë përpara me procesin e nisur në një mënyrë të drejtë, të hapur dhe të shpejtë. Refuzimi i presidentit për të bashkëpunuar në konfirmimin (ose kundërshtimin) e fakteve, nuk duhet të vonojë apo të frustrojë punën e Kongresit në përmbushjen e detyrimit të tij kushtetues.
Ne kemi mbërritur në këto përfundime, duke pasur parasysh deklaratat publike të vetë Trump; gjetjet nga hetimi i ish-prokurorit special Robert S.Mueller; transkriptin e telefonatës së Trump me presidentin e Ukrainës Volodimir Zelenski. Refuzimi i vazhdueshëm i presidentit për të prodhuar dokumente, ose për të lejuar dëshminë e punonjësve aktualë dhe të mëparshëm të qeverisë, për hetimet që pritet të nisin. Si dhe informacionet e tjera që janë tashmë në dispozicion të publikut, përfshirë mesazhet e Departamentit të Shtetit. Të cilat tregojnë se ndihma ushtarake ndaj Ukrainës, u kushtëzua me gatishmërinë e Ukrainës për të nisur një hetim penal, me synim çuarjen më tej të interesave politike të presidentit.
Në vitet 1970, ne hetuam mbi abuzimet serioze me pushtetin presidencial nga ana e presidentit Richard Nixon, përfshirë bllokimin e drejtësisë, fshehjen e regjistrave qeveritarë, dhe keqpërdorimin e agjencive qeveritare, për të ndëshkuar armiqtë e tij politikë.
Ne ndoqëm penalisht shumë nga ndihmësit e Nixon, për bashkëpunimin e tyre në veprat penale të konsumuara nga Nixon. Në vend se të akuzonte presidentin, juria e madhe e quajti atë një bashkë-komplotues ndikues, dhe i dorëzoi Kongresit një përmbledhje të provave që e implikonin presidentin në shkeljen e ligjit, dhe e nxiste Kongresin t’i adresonte sjellje të tilla presidenciale përmes procesit të fajësimit.
Përmes Komitetit të tij Gjyqësor, Kongresi e përmbushi atë përgjegjësi kushtetuese duke shqyrtuar provat, intervistuar dëshmitarët, dhe duke arritur në përfundimin se faktet garantonin përdorimin e 3 neneve të impeachment-it:një për pengim të drejtësisë, të dytin për shpërdorimin detyre, dhe të tretin për shpërfillje të Kongresit.
Pas kësaj, presidenti Nixon zgjodhi të dorëhiqej, sesa të përballej me një gjyq në Senat. Në këndvështrimin tonë, te tria nenet e fajësimit mund të zbatohen edhe kundër Trumpit, pasi ai ka kryer abuzime serioze dhe të vazhdueshme me pushtetit, që sërish sipas këndvështrimit tonë plotësojnë standardin kushtetues të “krimeve të larta, dhe shkeljes së rëndë të ligjit”.
Për shembull: Trump kushtëzoi mbrojtjen e sigurisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara, dhe të një aleati (Ukrainës), me veprimet për përfitimet e tij politike personale. Ai ia nënshtroi integritetin e procesit tonë zgjedhor interesit të tij personal, duke kërkuar dhe inkurajuar ndërhyrjen e qeverive të huaja në procesin tonë zgjedhor, përfshirë atë të Rusisë dhe Kinës.
Ndërkohë, ai duket se ka kërkuar që Ukraina të hetojë një rival të mundshëm politik në zgjedhjet e 2020-ës, dhe t’i bëjë jehonë teorisë së komplotit, sipas së cilës ishte Ukraina, ajo që kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, me gjithë përfundimin unanim të komunitetit të inteligjencës amerikane, se ndërhyrësja në zgjedhjet tona ishte pikërisht Rusia.
Sipas provave të servirura në raportin e Mueller, Trump u angazhua në akte të shumta të pengimit të drejtësisë, në shkelje të statutit penal federal, dhe të betimit të tij presidencial, për t’u kujdesur që “ligjet të zbatohen me besnikëri”.
Trump pengoi hetimet e ligjshme të kongresit, duke mbajtur në mënyrë sistematike peng provat, dhe duke i inkurajuar agjencitë qeveritare dhe punonjësit e tyre, të refuzojnë të bashkëpunojnë me hetimin dhe mbikëqyrjen e ligjshme nga Kongresi.
Më e rëndësishmja, refuzimi i plotë i presidentit Trump për të plotësuar kërkesën për informacionin përkatës, e kërkuar nga anëtarët e Kongresit që do të kryejnë hetimin për impeachment-in, përbën një përbuzje për ligjin dhe një pengesë të padiskutueshme.
Publiku ka të drejtë të njohë faktet, dhe Kongresi është organi që demokracia jonë i ka besuar që t’i zbulojë ato. Kushtetuta Amerikane, parashikon që përfaqësuesit e zgjedhur të popullit t’i drejtohen impeachment-it në rrethana të jashtëzakonshme, duke treguar se kjo masë drastike është e domosdoshme për të frenuar, dhe ndoshta shkarkuar një president, që është angazhuar në shkelje të larta të ligjit.
Ligjvënësit nuk duhet të lejojnë asnjë refuzim nga ana e presidentit Trump, për të bashkëpunuar në procesin e fajësimit që do të nisë ndaj tij, për të penguar kryerjen e detyrave të tyre kushtetuese. Nëse një projekt-ligj për fajësimin vjen përpara Senatit, ne u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Senatit që të lënë mënjanë besnikërinë partiake, dhe të kryejnë me guxim dhe ndershmëri detyrat e tyre kushtetuese.
Në vitin 1974, një grup senatorësh republikanë vunë interesin kombëtar mbi besnikërinë ndaj partisë së tyre. Ata e informuan Nixon-in, se sjellja e tij ishte e pambrojtshme, dhe do të impononte Senatin të miratonte shkarkimin e tij nga detyra. Shpresojmë që Senati aktual të vendosë në mënyrë të ngjashme nderin dhe integritetin e tij, mbi besnikërinë partiake dhe interesat politike personale.
Shënim: 17 ish-prokurorët specialë të Watergate janë Nick Akerman, Richard Ben-Veniste, Richard J. Davis, George T. Frampton Jr., Kenneth S. Geller, Gerald Goldman, Stephen E. Haberfeld, Larry Hammond, Henry Hecht, Paul R. Hoeber, Carl B. Feldbaum, Philip Allen Lacovara, Robert L. Palmer, Paul R. Michel, Richard Weinberg, Jill Wine-Banks dhe Roger Witten. (TTnews)/l.m
Po perse nuk merreni me llumin shqiptar, dhe perktheni keq shkrimet e majta te Washington Post?