Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat në bazë të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, pritet të formojnë Qeverinë e ardhshme të Kosovës, paralajmërojnë zëvendësimin e taksës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina me reciprocitet ndaj këtyre dy shteteve.
Qeveria në largim e Kosovës me kryeministër Ramush Haradinaj, më 21 nëntor të vitit 2018 kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, si kundërpërgjigje ndaj politikave të këtyre dy shteteve kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.
Para vendosjes së taksës, tregu i Kosovës ka qenë i mbushur me produkte nga Serbia. Ky vend ka qenë eksportuesi më i madh i mallrave në Kosovë.
Ndërkaq, nga Bosnje e Hercegovina, për nëntë muajit e këtij viti në Kosovë kanë hyrë mallra në vlerë prej 1.9 milion euro nga 57 milionë euro sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit të 2018.
Ndërkohë, në Kosovë pritet që në pushtet të vijnë dy ish-partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Të dyja këto subjekte politike kanë paralajmëruar se taksa apo tarifa doganore mund të zëvendësohet me masën e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Zbatimi i taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, në aspektin e brendshëm, sipas përfaqësuesve të komunitetit të biznesit ka pasur efekte pozitive në rritjen e kapaciteteve prodhuese vendore, kurse në aspektin e jashtëm mbajtja e kësaj takse disa herë është kritikuar nga faktori ndërkombëtar./l.m