Futbolli është mizor. Nëse nuk shënon, atëherë do ndëshkohesh. Kështu ndodhi edhe me kuqezinjtë sot në Turqi, ku nuk u mjaftoi një paraqitje heroike.
Shqipëria është mundur 1-0 në Turqi. Një gafë e pafalshme në mbrojtje në minutën e 89, ku Ismajli dhe Strakosha nuk merren vesh mes tyre dhe i dhurojnë Turqisë një fitore vendësve. Është një rezultat që na rri ngushtë.
Jo vetëm sepse kuqezinjtë luftuan maksimalisht në një ndeshje të tensionuar, por sepse shpërdoruam shumë. Tre herë Manaj para portës nuk mundi ta ndëshkojë portierin turk. Aktivizimi i Roshit dhe Abrashit kaloi peshoren në anën tonë, por atëherë kur dukej se po merrnim një pikë, Ismajli dhe Strakosha nuk merren vesh dhe flakim një barazim mëse të merituar.
Kaq mjaftoi dhe Shqipëria është totalisht jashtë Europianit 2020, që do të mbahet në verën e vitit të ardhshëm. Ndërsa Turqia mban vendin e parë në grupin H me 18 pikë, aq sa Franca që në krahun tjetër mposhti po 1-0 Islandën.
g.kosovari