Prej 8 vitesh “Mjeshtër i Madh”, autori i qindra teksteve muzikore dhe jo vetëm, Jorgo Papingji ende nuk e ka marrë pensionin që i takon.
I ftuar në emisionin “Vizioni i Pasdites”, Papingji e renditi këtë moment të jetës së tij si një peng dhe se ende askush nuk i ka shpjeguar se ku shkon pensioni i veçantë që i takon atij prej 8 vitesh që nga marrja e titullit.
Mes emocionesh dhe përulësisë të një artisti të madh ai tregon:
“Unë nuk e kam kuptuar asnjëherë pse më ka ngelur peng. Ka lidhje me vlerësimin e punës sime, jo me vlerësimin formal se i kam marrë të gjitha, çmime, vlerësime, letra, fleta nderi, fleta lavdërimi.
Nuk e kam kuptuar asnjëherë, kam tetë vite që kam marrë titullin “Mjeshtër i Madh” dhe gjatë këtyre tetë viteve nuk ka dalë ende vendimi që unë të marr pensionin e veçantë”.
Artisti Jorgo Papingji shprehet:
“Unë nuk e di dhe nuk besoj që jepet pas vdekjes.
Në një moshë që jam unë do ta kisha marrë atë pensionin.
Nuk e di arsyen, cila është mënyra e vlerësimit, kush e pengon këtë gjë!
Dua të them që më jepet apo nuk më jepet pensioni i veçantë unë pensionin e marr në çdo takim me njerëzit, në çdo tavolinë që rri me njerëzit, në çdo rrugë që kaloj, me mijëra përshëndetje nga njerëzit e thjeshtë dhe të natyrshëm edhe nganjëherë ku bie rasti ju them që nuk e kam marrë pensionin, më thonë: “Ti se ke marrë pensionin! Si ka mundësi..”- përfundoi Papingji.
Duket e pabesueshme që një artist, një mjeshtër i muzikës si Jorgo Papingji të jetë lënë në harresë në shkresat e institucioneve, megjithatë ai nuk ka hezituar t’i drejtojë një lutje të gjithë atyre që mund të jenë në dijeni të kësaj procedure.
“ I lutem atij që e ka në dorë këtë punë, të më thotë çfarë duhet të bëj unë tjetër akoma, për të arritur të marr pensionin”, është shprehur mes emocioneve ai.
g.kosovari